Në Shqipëri ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 10 deputetë të opozitës, për shkak të protestave të djeshme brenda dhe jashtë sallës së parlamentit, ndërsa zhvillohej seanca për zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm. Të paktën gjatë pjesmarrës në protestë janë arrestuar. Sot, aktet e dhunës u dënuan dhe nga Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë. Nga ana e tij kryetari demokrat Lulzim Basha deklaroi se e vetmja dhunë dje në sallën e parlamentit ishte shkelja e kushtetutës nga shumica
Pas protestës së djeshme, gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve dhe nënkryetari i parlamentit Edi Paloka dhe katër të tjerë të Lëvizjes socialiste për integrim, përfshirë kryetaren Monika Kryemadhi, do të ndiqen në gjendje të lirë. Për tre prej tyre procedimi penal ka nisur për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”, lidhur me hedhjen e tymueseve në sallë. Ndërsa të tjerët për kundërshtim të forcave të policisë, ndërsa u përfshinë me masën e protestuesve në hyrje të parlamentit. Ndërkohë 6 protestuesë janë arrestuar.
Për ngjarjet e djeshme sot reagoi dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë, i cili përmes një deklarate dënon “dhunën në protestat e djeshme dhe sjelljen e anëtarëve të Parlamentit në seancën plenare. Proceset demokratike, qofshin ato seanca parlamentare apo protesta, duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore” thekson deklarata në të cilën nënvizohet se”qytetarët shqiptarë u kërkojnë përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të tregojnë lidership dhe përgjegjësi, si dhe të punojnë në partneritet për të ndjekur reformat e rëndësishme që janë gjithashtu vendimtare për aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.”
Një ditë më parë dhe ambasada amerikane dënoi dhunën duke deklaruar se “dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme” duke i bërë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi”.
Nga ana e tij kryetari demokrat Lulzim Basha u përgjigj sot duke u shprehur se “dhuna e vetme dje në Parlament nuk ishin tymueset por dhunimi i Kushtetutës . Çfarëdo të thonë ambasadorët, faktet janë ato që janë . Këshilli i lartë i Prokurorisë nuk është krijuar prej 8 muajsh në dhunim flagrant me Kushtetutën. Prokurori është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese nga Edi Rama. Prokurori është zgjedhur pa Veting. SPAK dhe Byroja e Hetimit nuk janë formuar dhe nuk dihet se kur do të formohen”. Zoti Basha i konsideroi të paligjshme dhe arrestimet e protestuesve.
Një ditë pas betimit në parlament mes kaosit dhe reve të tymit në sallë, Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku mori sot detyrën. Ajo u prit në zyrë nga ish drejtuesi Adriatik Llalla të cilin ajo më pas e përcolli deri në dalje të institucionit pas afro 30 minutash takim.
Facebook Forum