Lidhje

Evropa thotë se ka menaxhuar me sukses krizën e emigrantëve


Numri i emigrantëve që kalojnë Mesdheun për në Evropë ka vazhduar të ulet muajin e kaluar – dhe Bashkimi Evropian thotë se strategjia për të lehtësuar krizën po funksionon. Por organizata Amnesty International thotë se bashkëpunimi i BE-së me grupet libiane të cilat i paraburgosin emigrantët, e bën BE-në bashkëfajtore me abuzimet e rënda të të drejtave të njeriut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell rishikon krizën e imigrantëve të Evropës gjatë vitit 2017, ndërkohë që pasojat politike nga fluksi i madh i viteve të mëparshme vazhdojnë të ndihen.

Në vitin 2017, Evropa deklaroi sukses në ngadalësimin e mbërritjes së imigrantëve. Në të ashtuquajturën rrugë qendrore mesdhetare nga Afrika e Veriut, mbërritjet janë ulur prej një të tretën.

Por Amnesty International thotë se kjo është arritur me një kosto të tmerrshme njerëzore.

“Evropa ka vendosur të bashkëpunojë me autoritetet libiane duke e ditur llojin e torturës e abuzimeve që përjetojnë emigrantët në Libi” thotë Maria Serrano e Amnesty International.

Në nëntor doli një video duke treguar, si duket, emigrantët që po shiteshin në një treg skllevërish në Libi – duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar.

“Më lejoni të përsëris thirrjen time për të imponuar sanksione të OKB-së për kontrabandistët dhe trafikantët e njerëzve” tha Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian.

Vendet evropiane ofrojnë dhjetëra miliona dollarë dhe trajnime për rojet bregdetare libiane dhe grupet e armatosura nën kontrollin e qeverisë së Tripolit, për të siguruar kufirin e saj detar. Kjo e bën Evropën bashkëfajtore për abuzimin, thotë Amnesty.

“Emigrantët dërgohen në qendrat zyrtare paraburgimi, pastaj milicia dhe grupe të tjera të armatosura i kontrollojnë këto qendra. Pra, ky është një burim parash për ta. Emigrantët zhvaten, detyrohen të thërrasin familjet e tyre që ata të dëgjojnë abuzimet e tmerrshme që vuajnë; rrahen, torturohen dhe gratë dhunohen” shton zonja Serrano.

BE-ja ka financuar fluturimet emergjente të riatdhesimit për t’i dërguar emigrantët nga Libia në vendet e tyre përkatëse. Por duket se ka pak vullnet politik për të zbutur qëndrimin e Evropës.

Udhëheqësit e BE-së i kanë shpallur numrat në rënie të emigrantëve, për t’i përdorur për të luftuar forcat populiste anti-migrante.

“Pasojat e fluksit të fundit në vitet 2016 dhe 2015 ndjehen ende në shumicën e vendeve evropiane. Pra, derisa BE-ja të vendosë dhe zbatojë një reformë të re të imigracionit dhe është në gjendje të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme, kriza e emigrantëve do të vazhdojë të jetë problem për vendet Evropiane” thotë analisti Leopold Traugott.

Në kulmin e këtij fluksi në vitin 2015, Gjermania mori mbi një milion imigrantë. Kundërshtimi nxiti mbështetjen për të djathën e skajshme dhe i kushtoi kancelares gjermane Angela Merkel vota në shtator.

Por mbështetësit thonë se fitorja e saj është dëshmi se Gjermania dhe Evropa mund t’i integrojnë me sukses imigrantët.

Megjithatë, BE-ja duket e vendosur të mbyllë rrugët përgjatë Mesdheut. Pavarësisht rrezikut të torturës, abuzimit ose mbytjes në det, më shumë se 160 mijë imigrantë e bënë udhëtimin në vitin 2017.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG