Lidhje

Tillerson, Lavrov dhe kriza bërthamore në Gadishullin Korean


Tillerson, Lavrov dhe kriza bërthamore në Gadishullin Korean

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov "kanë rënë dakord të vazhdojnë të punojnë drejt një zgjidhjeje diplomatike për çnuklearizimin e Gadishullit Korean", tha Departamenti Amerikan i Shtetit të mërkurën.

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se Tillerson dhe Lavrov folën në telefon të martën për të diskutuar shqetësimet lidhur me "programin bërthamor destabilizues të Koresë së Veriut dhe theksuan se as Shtetet e Bashkuara dhe as Rusia nuk e pranojnë" Phenianin si një fuqi bërthamore.

Një ditë më parë, ministria e jashtme e Rusisë tha se Lavrov i kishte thënë homologut të tij amerikan se "retorika agresive e Uashingtonit" ka rritur tensionet në gadishullin Korean. Rusia tha gjithashtu se Lavrov e ka quajtur të papranueshme retorikën e Uashingtonit.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj dy zyrtarëve të Koresë së Veriut për rolin e tyre në programin e raketave balistike të Phenianit.

Masa pasoi miratimin unanim të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten që kufizon sasinë e benzinës dhe naftës që Koreja e Veriut mund të importojë dhe shton kontrollin e anijeve të dyshuara për transportim të paligjshëm të artikujve të ndaluar nga Koreja e Veriut.

Koreja e Veriut në mënyrë të konsiderueshme ka rritur programet e saj bërthamore dhe raketore në vitin 2017, duke lëshuar një raketë balistike ndërkontinentale të quajtur Hwasong-15 muajin e kaluar. Koreja e Veriut pretendon se raketa mund të pajiset me mbushje bërthamore dhe mund të godas Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte prova e tretë me raketa balistikie ndërkontinentale e Phenianit dhe e 20-ta me raketa këtë vit.

Më parë gjatë vitit, Presidenti amerikan Donald Trump i referohej udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un "Little Rocket Man" ose “Njeriu i vogël i raketave”, duke rritur tensionet mes dy vendeve. Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar sanksionet ndaj Koresë së Veriut pas provave bërthamore dhe raketore të Phenianit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG