Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të rifillojnë shërbimet e plota për dhënie vizash për qytetarët turq që dëshirojnë të udhëtojnë për në SHBA, pasi morën garanci se Ankaraja do të informojë Uashingtonin përpara se të ndalojë apo arrestojë ndonjë punonjës të ambasadës.
Turqia e përshëndeti vendimin, por tha se nuk i kishte dhënë SHBA-së asnjë garanci lidhur me këtë çështje.
Më parë gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara pezulluan të gjitha shërbimet për viza jo-emigrimi në Turqi, si përgjigje ndaj arrestimit të Metin Topuz, punonjës i konsullatës në Stamboll, i akuzuar për terrorizëm. Në formë shpagimi Turqia mbylli shërbimet e vizave në SHBA.
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Departamenti i Shtetit tha se që nga muaji tetor, Turqia ka premtuar të ndjekë proçedurat që asnjë punonjës i ambasadës të mos hetohet dhe të mos ndalohet për "kryerjen e detyrës së tij zyrtare" dhe se qeveria turke në të ardhmen do të konsultohet me SHBA-në përpara ndalimit apo arrestimit të stafit vendës.
"Bazuar në garancitë për respektimin e kësaj procedure Departamenti amerikan i Shtetit beson se ka arritur mjaftueshëm që të lejojë rifillimin e plotë të shërbimeve të vizave në Turqi”, thuhet në deklaratë.
Ambasadori turk në SHBA Serdar Kilic tha se vendi i tij ka në plan të bëjë të njëjtën gjë për qytetarët amerikanë që kërkojnë viza për në Turqi. Por megjithatë në deklaratën turke, mohohet që Ankaraja të ketë dhënë ndonjë garanci për SHBA-në, lidhur me ndalimin apo dhe arrestimin e mundshëm të punonjësve të ambasadës.
"Përsa i përket garancive të përmendura në deklaratën e autoriteteve amerikane, dëshirojmë të përsërisim se në Turqi zbatohet ligji. Qeveria jonë nuk dha ndonjë garanci lidhur me rastet në proçes dhe asnjë punjonjës lokal nuk është nën hetim ligjor lidhur me detyrën e tij. Megjithëse kemi tëhequr vëmendjen lidhur me çështjen, ne nuk e miratojmë faktin që Shtetet e Bashkuara po i japin informacione false opinionit turk dhe amerikan duke pretenduar se Turqia u ka dhënë atyre garanci", thuhet në deklaratën e autoriteteve turke.
Të dy vendet rifilluan shërbimet e kufizuara të vizave në fillim të nëntorit, gjatë periudhës së vizitës në Uashington të kryeministrit turk Binali Yildirim, por ambasada amerikane në Ankara njoftoi javën e shkuar se takimet më të afërta lidhur me aplikimet, do të kryhen në janarin e 2019.
Facebook Forum