Lidhje

SHBA pezullon ndihmat e sigurisë për Pakistanin


Shtetet e Bashkuara thanë se kanë pezulluar ndihmën e sigurisë për Pakistanin derisa vendi të ndërmarrë veprime kundër organizatave terroriste duke përfshirë Talibanin afgan dhe rrjetin Haqqani, një masë që u kritikua nga Islamabadi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nike Ching sjellë hollësitë.

Një fillim jo i mbarë i vitit në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit, të cilat u tensionuan më tej pas akuzave të Uashingtonit se Islamabadi po ofron strehë të sigurtë për terroristët.

"Është zhgënjyese për kur shohim se si nga njëherë Pakistani vepron kundër interesave të popullit të vet, duke ndjekur këto grupe në mënyrë selektive, duke ofruar strehë të sigurta dhe baza mbështetëse për Talibanët dhe udhëheqjen e rrjetit Haqqani që operojnë jashtë Pakistanit, ndërsa ata vazhdojnë të shkaktojnë kaos në pjesë të Pakistanit dhe në Afganistan", thotë H.R. McMaster, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti i Shtetit të enjten konfirmoi se Shtetet e Bashkuara po pezullojnë ndihmën në fushën e sigurisë për Pakistanin, por nuk dha hollësi në lidhje me shumën e pezulluar.

"Derisa qeveria pakistaneze të ndërmarrë veprime vendimtare kundër grupeve përfshirë Talebanin afgan dhe Rrjetin Haqqani, që ne i konsiderojmë si grupe që destabilizojnë rajonin dhe kanë në shënjestër personelin amerikan, Shtetet e Bashkuara do të pezullojnë këtë lloj ndihme sigurie për Pakistanin", tha Heather Nauert, Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Vendimi reflekton zhgënjimin e vazhdueshëm të administratës së Presdidentit Trump me Pakistanin.

"Kjo nuk duhet ta befasoj Pakistanin, sepse presidenti, Sekretari Tillerson dhe Sekretari Mattis kanë biseduar me zyrtarët pakistanezë duke i njoftuar ata për shqetësimet tona se Pakistani nuk ka bërë mjaft për të kapur dhe luftuar grupet terroriste dhe militante që veprojnë nga Pakistani. Ne kemi pasur një numër diskutimesh me Pakistanin për këtë, duke i thënë zyrtarëve të Pakistanit se ata duhet të ndërmarrin më shumë veprime vendimtare".

Por ambasadori i Pakistanit në Shtetet e Bashkuara të enjten paralajmëroi për rrezikun e pezullimit të ndihmës së sigurisë, duke thënë se Islamabadi ka kontribuar shumë në përpjekjet kundër terrorizmit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe në stabilizimin e Afganistanit fqinj.

"Ne nuk duhet të jemi në kursin e përplasjes. Kjo është pika që ne duam të theksojmë sepse unë mendoj se nëse lëvizim në atë drejtim, të dy vendet do të largohen nga njëri-tjetri dhe unë mendoj se përçarja nuk është në interes të asnjërit vend", tha ambasadori pakistanez në Shtetet e Bashkuara, Aizaz Ahmad Chaudhry.

Shtetet e Bashkuara kishin pezulluar më herët 255 milionë dollarë ndihmë për Pakistanin për blerje të pajisjeve ushtarake amerikane. Njoftimi i së enjtes pezullon financimin e një programi tjetër ndihmash për sigurinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG