Për të katërtën ditë, mijëra mbështetës të qeverisë u mblodhën në rrugët e Iranit, ndërsa dje ministri i jashtëm iranian e quajti një takim të OKB-së, një “proçkë” të administratës së Presidentit Donald Trump.
Televizioni shtetëror tregoi pamje të demonstruesve në qytetet Amol, Semnam dhe Shadegan duke valëvitur flamuj iranianë dhe duke bërë thirrje kundër SHBA-së, Izraelit dhe Britanisë. Tubime u mbajtën edhe në provincat Khuzestan, Semnan dhe Azerbaixhani Perëndimor.
Tubimet u organizuan një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim emergjence për të diskutuar rreth protestave, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara. SHBA-ja u kritikua gjatë takimit për kërkesën që të zhvillohej sesioni ku u diskutua një çështje për të cilën disa vende anëtare u shprehën se është një çështje e brendshme e Iranit.
Pas takimit, Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif shkruajti në Twitter se “Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzoi një përpjekje të hapur për të uzurpuar mandatin e saj... Një tjetër proçkë në politikën e jashtme për administratën Trump”.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, vlerësoi protestuesit anti-qeveritarë në Iran gjatë një takimi emergjent të Këshillit të Sigurimit, ndërsa Rusia ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për atë që e quan ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit.
Shtetet e Bashkuara kërkuan takimin emergjent të premten, për të diskutuar protestat në Iran që lanë 22 të vdekur dhe çuan në arrestimin e më shumë se 1000 të tjerëve.
Demonstrime konkurruese pro dhe kundër qeverisë janë zhvilluar në qytetet kryesore të Iranit gjatë kësaj jave.
"Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë atë që po bëni", tha ambasadorja Haley për Iranin në deklaratën e saj në takimin e së premtes. Ajo i quajti protestat një "shprehje spontane të të drejtave themelore të njeriut" dhe një "ekspoze të fuqishme të njerëzve të guximshëm që nuk e durojnë më qeverinë e tyre shtypëse dhe që janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre në protesta".
Zonja Haley i bëri thirrje qeverisë iraniane të ndalë censurimin e zërit të popullit dhe të rivendosë qasjen në internet.
Ajo tha gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë në mbështetje të demonstruesve anti-qeveritarë. Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për protestuesit.
Por kritikët e qëndrimit amerikanë, përfshi Rusinë dhe vetë Iranin, kanë thënë se protestat nuk janë punë e komunitetit ndërkombëtar.
Ambasadori iranian, Gholamali Khoshroo, që mori pjesë në takim tha se është “diskredituese” për Këshillin e Sigurimit të mbajë një takim të tillë për Iranin në kohën e konflikteve në vende si Jemeni dhe gjetkë në Lindjen e Mesme.
Zëvendës ministri i jashtëm rus Sergei Ryabkov, kritikoi Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në punën e brendshme të Iranit.
Facebook Forum