Lidhje

Jeta e një komuniteti të veçantë rus në Alaska


2017 shënon 150 vjetorin e shitjes së Alaskës nga Rusia. Shtetet e Bashkuara e blenë këtë territor që tani është një nga shtetet më të mëdha amerikane për nga sipërfaqja, por jo nga numri i banorëve. Alaska tani ka rreth 700 mijë banorë, dhe ne mesin e tyre është një grup me një histori unike si nga feja, ashtu edhe nga zona ku kanë ndërtuar jetën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya na sjell historinë e një grupi refugjatësh rusë të cilët u vendosën në këtë territor që dikur kontrollohej nga Rusia.​

"Ishte e gjitha zonë e shkretë, ne filluam nga e para. Dhe pastaj filluan të vinin amerikanët. Atyre u pëlqen kjo zonë, pasi është e qetë, ka shumë pak njerëz dhe jo shumë makina".

Irina, të cilën banorët e thërrasin “Nëna Irina” i takon grupit të ashtuquajtur “Besimtarët e Vjetër”, paraardhësit e të cilëve u ndanë nga Kisha Ortodokse Ruse në shekullin e 17-të. Pastaj, rreth 50 vjet më parë, disa nga besimtarët e këtij grupi erdhën këtu në Amerikë, në Alaskën jugore, në gadishullin Kenai, ku themeluan një fshat të quajtur Nikolaevsk. Paraardhësit e tyre kishin ikur më parë nga komunizmi due u zhvendosur brenda Rusisë dhe më pas në Kinë.

"Me ardhjen e komunizmit, në fillim ishte mirë, por pastaj filluan të vinin në kasollet tona dhe merrnin gjithçka. Njerëzit tanë kanë pasur familje të mëdha, njësoj si ne tani, pra kishin shumë fëmijë për të ushqyer. Ata vinin dhe na merrnin të gjitha gjërat."

Në Nikolaevsk jetojnë pak më shumë se 300 njerëz. Burrat, të cilët mbajnë mjekërr dhe vishen me këmisha ruse, merren me peshkim, ose me ndërtimin e anijeve.

"Kemi ndërtuar mbi 100 anije. Ato janë të qëndrueshme dhe funksionale. Në vend që të porosisin anije të reja, njerëzit thjesht i shesin ato. Por ne ende ndërtojmë disa anije të reja."

Gratë veshin fustane tradicionale ruse që i qepin vetë. Veshjet plot ngjyra janë bërë pjesë e pejsazhit në zonë:

"Ne kemi 40 vjet që jetojmë këtu. Ndoshta disa turistë që vizitojnë zonën mendojnë se kemi rroba të çuditshme, por jo banorët vendas, ata na njohin", thotë Denis Fefelova.

“Besimtarët e Vjetër” flasin rusisht dhe luten në kishën e tyre. Por brezi i ri preferon gjuhën angleze.

"Fëmijët tanë e flasin mirë rusishten, pasi ne flisnim rusisht në familje. Por fëmijët e tyre nuk flasin rusisht. Kur më vizitojnë ata nuk mund të më tregojnë në rusisht se çfarë duan. Është e vështirë", thotë Irina Fefelova.

Shtëpia e Irinës është e mbushur me libra kishtarë, disa të kopjuara me dorë nga bashkëshorti i saj i ndjerë, prift i kishës. Një qoshe është e zbukuruar me ikona, peshqirë të qëndisur dhe një portret të Presidentit amerikan John Kennedy. Ky komunitet jeton në harmoni me përfaqësuesit e kishës ortodokse të Alaskës.

"Pse të zihemi për çështje që nuk kanë të bëjnë aspak me doktrinën apo moralin? Këto ishin dallime rituale që për shumicën kishin shumë pak rëndësi. Por për kundërshtarët kjo ishte shumë e rëndësishme".

Sot, Nikolaevski ka një kafene që tërheq shumë turistë, të quajtur “Café Samovar”.

"Kur u bënë kanalizimet këtu në vitin 2002, unë hapa kafenenë. Dhe turistët këtu mund të hanë ushqime tradicionale ruse dhe të pinë çaj rus".

Pronarja e kafenesë, Nina Fefelov çdo ditë shkon në kishën e komunitetit në Nikolaevsk, në Alaskë.

"Unë shkoj atje me bashkshortin. Është një vend 100 për qind i lumtur. Lutemi të dy, unë dhe bashkëshorti. Këtu unë jam e lumtur", thotë ajo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG