Në Shqipëri Komisioni parlamentar i Ligjeve vendosi sot krijimin e nënkomisionit Ad hoc i cili do të bëjë përzgjedhjen e kandidaturave për 5 vende anëtarësh të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Të pesë vendet në secilin prej dy këshillave, plotësohen me 2 anëtarë nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, një nga shoqëria civile che dy të tjerë nga radhët e avokatëve. Nënkomisioni Ad hoc përbëhet nga 3 përfaqësues të shumicës dhe dy të pakicës. Ai do të nisë nesër punën me përzgjedhjen fillimisht të kandidaturave për Këshillin e Lartë gjyqësor.
Por dhe përfundimi i procedurave nga ana e parlamentit nuk çon automatikisht në ngritjen e dy institucioneve të reja, pasi për Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të përcaktohen 6 anëtarët që zgjidhen nga trupa e gjyqtarëve ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, 6 anëtarë nga trupa e prokurorëve. Kandidaturat për këto dy këshilla janë aktualisht në fazën e vlerësimit të figurës. Dhe vetëm ata që e kalojnë këtë proces do të mund të hyjnë në fazën finale.
Ndërkohë sot Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e paraqitur verën e shkuar nga Unioni i Prokurorëve kundër Kodit të ri të Procedurës penale, pjesë e paketës së parë të ligjeve të reformës në Drejtësi. Ankimimi u hodh poshtë pasi Gjykata nuk arriti kuorumin e nevojshëm prej të paktën 5 votash, duke qenë se prej kohësh ajo po funksionon me një numër të reduktuar anëtarësh, nga 9 në 7.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, vendimet për pushimin e hetimeve, ndryshimin e akuzës apo zgjatja e hetimeve deri dërgimi i dosjes për gjykim, nuk janë një eksluzivitet i Prokurorisë por duhet të kenë miratimin e gjykatës. Është pikërisht ky aspekt që u kundërshtua nga Unioni i Prokurorëve, sipas të cilëve Kodi i ri “kufizon kompetencën e organit të Prokurorisë, si i vetmi organ i parashikuar nga Kushtetuta që ushtron ndjekjen penale. Heqja e ekskluzivitetit të organit të Prokurorisë në ushtrimin e ndjekjes penale përbën shmangie të këtij organi nga ushtrimi i veprimtarisë së tij kushtetuese”, theksonte Unioni në ankimimin e tij duke pretenduar se “në këtë mënyrë cenohet edhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve”.
Facebook Forum