Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të mërkurën akuza kundër dy shtetasve të Kosovës nën dyshimet për veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj”.
Sipas aktakuzës, “i pandehuri K.P. nga Lipjani gjatë vitit 2017, në vazhdimësi përmes rrjetit social “Facebook” nga llogaria e tij, me anë të postimit të xhirimeve audio-vizuale dhe fotografive ka bërë propagandë në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit terroriste nëpër botë si dhe krijimin e Shtetit Islamik, e që gjatë muajit nëntor të vitit 2017, në llogarinë e tij sociale “Facebook” ka shpërndarë fotografi kërcënuese”.
Ndërsa, “i pandehuri B.Q. nga Mitrovica në vazhdimësi gjatë vitit 2017 përmes rrjetit social “Facebook” me anë të postimit të xhirimeve audio-vizuale dhe fotografive ka bërë propagandë në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke i përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit terroriste nëpër botë, duke bërë thirrje të gjithë myslimanëve që t’i bashkëngjiten “luftës së shenjtë” për XHIHAD, e që gjatë muajit nëntor të vitit 2017 në llogarinë e tij të rrjetit social “Facebook” ka shpërndarë fotografi kërcënuese”.
Të dy personat ishin arrestuar më 20 dhjetor të vitit të kaluar njëri në Mitrovicë dhe tjetri në qytetin e Lipjanit, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.
Policia gjatë arrestimeve kishte sekuestruar disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.
Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tani për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme.
Facebook Forum