Në Shqipëri, propozimet e socialistëve për ndryshime në rregulloren e parlamentit kanë hapur një tjetër debat të fortë politik. Pika e nxehtë ka të bëjë me riformulimin e mënyrës së kërkesës nga ana e Prokurorisë për arrestimin e një deputeti, ku sipas ndryshimeve të propozuara duhet të përmbajë një relacion të shoqëruar me prova. Për opozitën një element i tillë është i papranueshëm, pasi sipas saj, e kthen Parlamentin në Gjykatë e synon të krijojë një mburojë për paprekshmërinë e ministrave apo deputetëve të shumicës ndaj akuzave për korrupsion apo përfshirje me krimin. Por socialistët shpjeguan se vetëm sa kanë reflektuar ndryshimet në Kushtetutë dhe Kodin e Procedurës Penale:
Në rastet kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputetit, rregullorja aktuale e parlamentit parashikon thjesht paraqitjen e një kërkese me dokumentat shoqërues. Në ndryshimet e propozuara nga socialistët, saktësohet se “kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën”. Pikërisht ky formulim ka provokuar një polemikë të fortë dhe kundërshtime të ashpra nga opozita.
Në fakt, socialistët përdorën argumentin e mungesës së provave sipas tyre, në kërkesën që prokuroria bëri për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për ta refuzuar dhënien e autorizimit.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ju referua sot pikërisht atij momenti kur tha se “me këtë akt Edi Rama po kthen në ligj modelin me të cilin mbrojti Saimir Tahirin. Këtë model tani Edi Rama po e shndërron në ligj dhe me këtë model ai po zhbën shtyllën kryesore të Reformës në Drejtësi, që është mundësia që, prokurorët dhe gjyqtarët vendosin para përgjegjësisë këdo, duke përfshirë edhe politikanët e inkriminuar dhe të lidhur me bandat, apo të korruptuar. Po merr masa që asnjë ministër i korruptuar, asnjë ministër, bashkëpunëtor i krimit të organizuar, asnjë deputet i korruptuar apo i zhytur në krim, të mos dalë para drejtësisë, por të mbrohet përmes akteve politike të mazhorancës. Kuvendi të kthehet në Gjykatë, Edi Rama të kthehet në gjyqtar”
Edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndryshimi i propozuar është në vijim të mbrojtjes që socialistët i bënë zotit Tahiri: “Sot PS kërkon të krijojë një mburojë të re akoma më të fortë, një korracë të pakapërcyeshme për çdo çështje korruptive apo çështje të rëndë kriminale që mund të vijë në parlament për pushtetarë të saj apo dhe deputetë të saj. Duke krijuar procedura të tilla ndaluese që drejtësia të mos funksionojë dot kurrë mbi ta”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili.
Por kryetari i grupit socialist Taulant Balla u kundërpërgjigj duke deklaruar se ndryshimet nuk janë gjë tjetër veçse një pasqyrim në rregullore i ndryshimeve kushtetutese të miratuara në unanimitet, si dhe I ndryshimeve të Kodit të Procedurës penale të miratuar nga parlamenti në pranverën e vitit 2017: “Siç është në Kodin e Procedurës të miratuar më shumicë të votave, e kemi futur në rregullore. Është detyrim! Po e lexoj fjalë për fjalë, neni 288 i Kodit të Procedurës Penale thotë: Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e arrestim me burg ose arrest shtëpie, heqja e lirisë dhe e çfarëdo lloj kontrolli personal ose banese, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi. Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë kod, për kryerjen e veprimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni; ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij. Ku janë propozimet e Partisë Socialiste për të ndryshuar procedurën?! Kush janë? Ka ndonjë ndryshim të procedurës të përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga Kodi i Procedurës Penale këtu?!”
Ndryshimet në këtë pikë lidhen dhe me mënyrën e votimit i cili bëhet i hapur, siç është sanksionuar në Kushtetutë, apo dhe me kohën e vendimit të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve që nga 4 javë reduktohet në 2 por jo më shpejt se brenda një jave.
Opozita megjithatë paralajmëroi se do t’i kundërshtojë me forcë ndryshimet e propozuara, ndonëse të paktën LSI-ja, ka dhënë votën e saj në favor të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, kur ishte ende pjesë e shumicës bashkë me socialistët.
Facebook Forum