Lidhje

Uashington: Tubime pro dhe kundër abortit


Uashingtoni është mbushur sot me aktivistë kundër abortit që po marrin pjesë në Marshimin vjetor për Jetën. Presidenti Trump pritet t’u drejtohet pjesëmarrësve në këtë tubim me një fjalim nga Shtëpia e Bardhë. Tubimi zhvillohet në 45-vjetorin e vendimit të Gjykatës së Lartë për të njohur ligjërisht të drejtën e gruas për abort. Protestuesit duan nxjerrjen e abortit jashtë ligji, ndërsa aktivistët pro abortit duan të mbrojnë të drejtën e gruas për të vendosur.

Ishte viti 1973 kur Gjykata e Lartë vendosi ligjërisht t’i njihte gruas të drejtën për të vendosur për abort, duke e argumentuar vendimin me Amendamentin e 14-të, i cili mbron të drejtën e privacisë. Që nga ajo ditë, palët pro dhe kundër të drejtës së gruas për të vendosur kanë përcjellë argumentet e tyre përmes mjeteve politike dhe tubimeve.

“Po përpiqemi të mbrojmë foshnja me çdo mënyrë përmes formave ligjore,” thotë Carol Tobias, Presidente e Komitetit për të Drejtën e Jetës.

“Ne duam abort të ligjshëm, të sigurtë. Duam të drejtën që gruaja të vendosë,” thotë Presidentja e Fondacionit “Shumica Feministe”, Eleanor Smeal.

Aktivistët kundër abortit shpresojnë që kauza e tyre do të mbështetet nga administrata konservatore e Presidentit Trump. Këtu përfshihet Neil Gorsuch, të cilin presidenti Trump e emëroi anëtar të Gjykatës së Lartë. Gjykatësi Gorsuch nuk mendon se Kushtetuta mbron të drejtën e abortit.

Një tjetër formë për të anuluar të drejtën e abortit janë ligjet shtetërore, thotë Carol Tobias, presidente e Komitetit Kombëtar për të Drejtën e Jetës.

“Nuk duam të ketë aborte në asnjë shtet. Nëse organi legjislativ dhe guvernatori i shtetit punojnë për të miratuar ligje që mbrojnë foshnjat dhe nënat, do të ishte shkëlqyeshëm”.

Por Eleonor Smeal e Fondacionit “Shumica Feministe” thotë se njerëzit nuk mbrohen duke nxjerrë jashtë ligji abortin.

“Kur i detyron njerëzit kundër vullnetit të tyre të riprodhohen në momente të vështira të jetës, në fakt u shkakton pasoja negative në shëndet, në mirëqënie dhe në familje”.

Zonja Tobias thotë se veprimet e deritanishme të administratës Trump tregojnë se ata do të nxjerrin jashtë ligji abortin. Për shembull një rregullore e re e administratës nuk lejon që fonde amerikane të financojnë organizata ndërkombëtare që mbështesin apo kryejnë aborte.

Ajo shpreson gjithashtu se projekt-ligji kundër abortit që është propozuar në Dhomën e Përfaqësuesve të gjejë miratim një ditë në Kongres.

“Jemi shumë të gëzuar që kanë miratuar ligjin që nuk lejon përdorimin e fondeve nga taksat në ndonjë formë për të mbuluar koston e abortit”.

Por zonja Smeal mendon se përpjekje të tilla nuk përfillin opinionin publik mbi abortin.

“Ata s’bëjnë tjetër veçse ua bëjnë të vështirë grave të bëjnë abort. Por të ligjshme apo të paligjshme, abortet do të ndodhin”.

Vite më parë, Presidenti Trump pat thënë se mbështeste të drejtën e gruas për të zgjedhur. Por gjatë fushatës presidenciale ai u shpreh se duhet të ketë një “formë ndëshkimi” për ata njerëz që bëjnë aborte. Aktivistet Tobias dhe Smeal nuk e mbështesin këtë ide:

“Lëvizja kundër abortit nuk e ka mbështetur idenë e ndëshkimit të grave që bëjnë abort. Ne duam të ndalim njerëzit që i kryejnë abortet,” thotë zonja Tobias.

Administrata Trump tha dje se po krijon një zyrë të re për të mbrojtur të drejtat fetare të atyre që punojnë në shëndetësi, qoftë edhe të atyre që janë kundër abortit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG