Lidhje

Tiranë-Athinë, nis raundi i dytë i bisedimeve


Në qytetin e Korçës ka nisur sot raundi i dytë i bisedimeve mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje një sërë problemesh të mbetura pezull mes dy vendeve. Takimi i parë mes ministrit shqiptar Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek Nikos Kotzias u zhvillua në Kretë, në muajin nëntor. Rreth atij takimi pati vetëm një deklaratë të përbashkët ku nuk u dhanë detaje, por saktësohej se “gjatë bisedimeve të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, është bërë një punë substanciale”. Të dy ministrat e konsideruan nisjen e dialogut si “një hap të rëndësishëm përpara”, duke nënvizuar se “përpjekjet për të gjetur zgjidhje afatgjata mbi problemet e trashëguara do të vijojnë”.

Edhe për takimin e Korçës që do të zgjasë deri të dielën gjithashtu nuk ka asnjë informacion, ndërkohë që në intervalet mes dy raundeve, siç deklaroi pak kohë më parë dhe kryeministri Edi Rama “bisedimet kanë vazhduar me intensitet në nivel ekspertësh”.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë shoqëruar prej kohësh me ulje ngritje të theksuara. Mes palëve qëndrojnë problem të hershme dhe të reja, që nga mbajtja formale në fuqi nga ana e Greqisë e ligjit të luftës, çështja came, apo dhe ajo e përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve.

Pas nisjes së bisedimeve dypalëshe, Tirana ka dhënë sinjalet e para, duke rihapur çështjen e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke. Pak javë më parë Qeveria mori vendimin për ndërtimin e varrezës së dytë në Bularat, pas asaj të ngritur në Këlcyrë vite me parë, si pjesë e një marrëveshjeje mes dy qeverive të firmosur në vitin 2009. Në prag të Krishtlindjeve të shkuara, presidenti Ilir Meta, i dha nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit të Kishës ortodokse shqiptare Janullatos, një vendim i cili u prit me entuziazëm në Athinë.

Nga ana tjetër, në deklaratat e tij në shtypin grek ministri i Jashtëm Kotzias është shprehur optimist për ecurinë e dialogut. Ndërsa më parë, mohohej që Greqia të kishte ende në fuqi Ligjin e luftës me Shqipërinë, tanimë pala greke jo vetëm që e ka pranuar publikisht, por po mendon për gjetjen e modaliteteve për shfuqizimin e këtij ligji.

Edhe kryeministri Edi Rama është shprehur me nota pozitive për procesin e nisur. Pak javë më parë ai u shpreh se “me Greqinë po zhvillojmë bisedime shumë serioze. Po diskutojmë mbi gjëra që deri dje dukeshin të paimagjinueshme, me shumë për shkak të mungesës së seriozitetit dhe servilizmit qesharak politik të Tiranës ndaj fqinjëve. Që në krye të herë ne e kemi konsideruar Greqinë, së bashku me Italinë dhe Turqinë, pjesë e trekëndëshit strategjik, dhe duam që te jetë një partner strategjik i yni”, ka nënvizuar zoti Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG