Lidhje

Opozita: Përzgjedhja për KLP e KLGJ e papranueshme


Në Shqipëri opozita e cilësoi sot të papranueshëm procesin që çoi në përzgjedhjen e 10 kandidatëve për 5 vende në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Partia demokratike tha sot se shumë nga kandidatët nuk përmbushin kriteret ligjore, ose kanë problem lidhur me nivelin profesional apo integritetin e tyre moral. Ata hodhën akuza se për disa nga kandidatët përfaqësuesve të opozitës u janë mbajtur të fshehta të dhëna që i përjashtonin ata automatikisht nga procesi.

Shqipëri: Opozita kundër kandidatëve për Këshillat e Lartë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Dyshimet e forta të përfaqësuesve të opozitës ndaj procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për një pjesë të anëtarëve të dy trupave më të rëndësishme të sistemit të ri të Drejtësisë u bënë të qarta që në nisje. Edhe dje deputetët Oerd Bylykbashi dhe Nasip Naço nënvizuan se në shumë raste kandidatët që janë përfshirë në lista nuk plotësonin të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj, apo nuk kanë marrë vlerësimin e duhur nga ONM-ja, e për pasojë nuk duhet të ishin përfshirë në listë dhe se në raste të tjera nuk plotësohej numri i nevojshëm i kandidatëve në garë.

Duke qenë se për përzjedhjen e kandidatëve që do i shkonin parlamentit nevojiteshin 4 vota socialistët në nënkomisionin Ad hoc, zgjodhën që përzgjedhja të realizohej përmes shortit, një përpjekje për t’u mbrojtur, në mungesë të një konsensusi nga opozita, nga akuzat për seleksionim të njëanshëm.

Por siç u shpreh dhe sot zoti Bylykbashi, “një short i tillë, që ka prodhuar kandidatë të tillë, me influencë të pastër politike dhe kritere të papërmbushura ligjore dhe problem të tjera të papranueshme, nuk mund të jetë një short I besueshëm. Procesi është tërësisht I deligjitimuar dhe për pasoje dhe parlamenti shqiptar nuk mundet të votojë dhe të ratifikojë, jo vetëm një vullnet të pastër politik të kryeministrit Rama por diçka që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjin”

Partia Demokratike tha sot se të paktën gjysma e kandidatëve të përzgjedhur ka probleme serioze. Njëri prej tyre, kandidati Altin Hazizaj, rezulton se nuk ka deklaruar një dënim të marrë në vitin 1996. Demokratët thanë se përfaqësuesve të tyre u është mbajtur i fshehtë dokumentacioni i dërguar nga zyra e dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Kandidati tjetër Kozma Jano, i propozuar nga radhët e avokatëve, përveç mospërmbushjes së disa kritereve rezulton sipas dokumentave të publikuar se ka qenë dhe ish bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Për dy kandidatë të tjerë, probemet sipas demokratëve, lidhen njëri me angazhimin politik dhe tjetri me mosshlyerjen e detyrimeve tatimore. Ndërsa kandidati Alfred Balla, përbën ndoshta dhe rastin më problematik. Ai ishte skualifikuar nga ekspertët e huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por u rifut në listë nga Sekretari i Përgjithshëm i parlamentit, ndonëse ligji në dispozitat kalimtare parashikon qartë se për rastet e emërimeve të para në këto dy institucione, “Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në listat e kandidatëve që i përcjell komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend, reflekton vlerësimin e përcjellë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimi”. Socialistët nga ana e tyre ju referuan nenit të ligjit i cili në fakt është i vlefshëm për përzgjedhjet që do të bëhen në të ardhmen

Për Lëvizjen socialiste për Integrim qëndrimi I shumicës lidhur me këtë moment kompromenton vetë procesin e Reformës: “Në momentin që edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pra garanti ndërkombëtar, i cili u vendos dhe në Kushtetutën e Shqipërisë, nuk ka më vlerë, refuzohet, përbuzet, në funksion të kapjes së shtetit nga mazhoranca në fuqi, i tërë procesi i reformës është kompromentuar rëndë, dhe si i tillë është një kambanë shumë e fortë alarmi për të gjithë popullin shqiptar”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar te LSI Petrit Vasili.

Debati për këtë cështje pritet të rihapet dhe në sallën e parlamentit kur listat do të duhet të votohen në bllok. Për to kërkohet një shumicë e cilësuar, por ne rastet kur lista rrëzohet në tre votime radhazi ajo quhet automatikisht e miratuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG