Lidhje

Uashingtoni po merr sinjale kontradiktore nga Turqia


President Donald Trump meets with Turkish President Recep Tayyip Erdogan in the Oval Office of the White House in Washington, May 16, 2017.

Turqia po u dërgon Shteteve të Bashkuara "sinjale kontradiktore" për operacionin e saj kundër forcave kurde në Sirinë veriperëndimore, duke ngritur shqetësime në Uashington se ofensiva mund të sjellë efekte negative dhe të fuqizojë grupin terrorist Shteti Islamik ose presidentin sirian Bashar al-Assad ose ndoshta të dy.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë të martën se Ankaraja deri tani nuk ka dhënë ndonjë qartësi mbi atë që shpreson të arrijë, pavarësisht bisedave të përditshme mes zyrtarëve të lartë të të dyja vendeve.

"Ne jemi duke biseduar me një numër zyrtarësh turq në anën ushtarake dhe politike dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme," tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke folur në kushte anonimiteti. "Mesazhet e tyre nuk janë të njëjta”.

"Do të duhet të shohim se si do të zhvillohet ngjarja në terren," shtoi zyrtari.

Komentet nga Uashingtoni vijnë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis kundërshtoi fuqishëm veprimet e Turqisë gjatë një vizite në Indonezi.

"Dhuna në Afrin dëmton atë që ishte një zonë relativisht e qëndrueshme e Sirisë. Ajo tërheq vëmendjen nga përpjekjet ndërkombëtare për të siguruar mposhtjen e ISIS-it, dhe mund të shfrytëzohet nga ISIS dhe al-Kaida," u tha gazetarëve sekretari Mattis.

Javën e kaluar Turqia filloi bombardimin e rajonit të kontrolluar nga kurdët në Afrin përgjatë kufirit turk, në një përpjekje për të përzënë Njësitë Mbrojtëse të Popullit Kurd, të njohur si YPG.

Një raport i Kombeve të Bashkuara të martën vlerëson se rreth 5,000 njerëz janë zhvendosur deri tani si rezultat i ofensivës të cilën Turqia po e quan "Operacioni Dega e Ullirit", ndërkohë që disa njerëz të pafuqishëm nuk mundën të largohen.

Turqia thotë se ka marrë masa për të parandaluar viktimat civile dhe se operacioni në Afrin kishte vrarë të paktën 260 luftëtarë të njësisë YPG dhe të Shtetit Islamik. Por zyrtarët amerikanë thonë se nuk ka luftëtarë ISIS-it në rajon dhe i kanë kërkuar vazhdimisht Turqisë të ushtrojë përmbajtje.

Presidenti Donald Trump pritet të flasë me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan të mërkurën dhe zyrtarët thonë se presidenti amerikan do t’i kërkojë personalisht udhëheqësit turk të heqë dorë nga shkallëzimi i dhunës.

YPG ka qenë një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik dhe përbën një pjesë të madhe të Forcave Demokratike të Sirisë - një koalicion që ka rrënjosur militantët e ISIS-it pothuajse nga i gjithë i ashtuquajturi kalifat i tyre.

Zyrtarë të lartë amerikanë të martën vunë në dukje një dallim mes luftëtarëve të YPG-së që kanë punuar me forcat e koalicionit kundër Shtetit Islamik në pjesët lindore të Sirisë dhe YPG-së në Afrin, duke thënë se militantët në Afrin kurrë nuk kanë punuar me forcat amerikane.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët amerikanë thonë se po bëjnë atë që munden për të siguruar që situata në Afrin të mos dalë jashtë kontrollit, duke përdorur ndërmjetës për të paralajmëruar luftëtarët e YPG-së që kanë punuar me forcat e koalicionit që të mos shkojnë në Afrin ose përndryshe do të rrezikojnë të humbasin mbështetjen amerikane.

"Kur ke të bësh me një partner, nëse interesat tuaja dhe të tyret ndryshojnë, atëherë do të duhet të zbusni qëndrimet," tha një zyrtar amerikan. "Ne do të vazhdojmë të veprojmë pikë së pari sipas interesave amerikane".

Një zyrtar tjetër paralajmëroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po mbështeteshin më pak tek forcat e YPG-së për të luftuar Shtetin Islamik në Siri, duke thënë se YPG-ja nuk vlerësohet të jetë më qendra e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga koalicioni.

Turqia e sheh YPG-në si një grup terrorist dhe e akuzon atë për lidhje me separatistët kurdë. Zyrtarët turq kanë thënë se ofensiva nuk do të përfundojë derisa YPG-ja të largohet jo vetëm nga Afrin por edhe nga qyteti Manbij në lindje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG