Lidhje

Tiranë: Forumi Ekonomik Rajonal


Në Tiranë u zhvillua sot një konferencë rajonale mbi nevojën e bashkëpunimit ekonomike mes shteteve ballkanike.

Drejtues shtetërorë, përfaqësues biznesesh, bankash, bursash dhe dhoma tregtie diskutuan gjatë mbi hapësirat e bashkëpunimit rajonal për t’u përgatitur së bashku për integrimin europian.

Edicioni i parë “Tirana Economic Forum” bashkoi në Tiranë në konferencën rajonale “Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale” përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, zyrtarë nga vendet e rajonit, Bashkimi Evropian, krerët e Bursave dhe Dhomave të Tregtisë e Industrisë të vendeve të Evropës Jug-Lindore.

Konferenca, synoi krijimin e një platforme diskutimi e propozimesh konkrete mbi përfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në agjendat e zhvillimit global.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se ecuria e ethshme e globalizimit e bën të domosdoshme bashkëpunimin rajonal edhe për Ballkanin.

“Presioni në rritje që vjen nga globalizimi është mjaft i fortë për secilin nga vendet tona, madje dhe për gjithë rajonin. Procesi i vrullshëm dhe i pandalshëm i globalizimit na dikton nevojën për bashkëpunim më të ngushtë dhe krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, e cila do t’i dërgonte Bashkimit Evropian si dhe tregjeve të tjera më të zhvilluara në botë mesazhin e potencialit shpresëdhënës dhe të paeksploruar të një tregu me mbi 20 milion konsumatorë, i cili, koordinohet për të krijuar vlerë të shtuar në çdo hallkë të zinxhirit të zhvillimit ekonomik” - tha zoti Meta.

Viti i kaluar ishte një vit zgjedhor për të gjithë vendet e Ballkanit dhe kudo humbi koha për të ngritur institucionet, tha zëvendës kryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ndërsa ky vit është më i qëndrueshëm dhe mund të ndiqen reforma të nevojshme, rritje ekonomike të frytshme. Ky vit mund të jetë edhe një vit europian për Ballkanin, theksoi ai.

“Tre sfidat politike dhe ekonomike në rajon janë tema e emrit mes Greqisë e Maqedonisë, mosnjohja e Republikës së Kosovës nga Serbia dhe gjendja e Bosnjes. Të treja këto sfida duhen zgjidhur gjatë 2018, pa këto nuk mund të ketë rritje ekonomike, as investime të huaja” - tha ai.

Ndërsa zëvendës-kryeministrja Senida Mesi theksoi se Integrimi progresiv rajonal, i shërben mirëqenies së qytetarëve të Ballkanit.

“Shqipëria është e angazhuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të Ballkanit, duke qenë gjithashtu kontributore në forcimin e qendrueshmërisë politike dhe ekonomike të rajonit. Tirana do të vazhdojë të nxisë frymën e dialogut për një bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Integrimi rajonal do të ndihmojë në afrimin me tregun evropian, duke e bërë Ballkanin Perëndimor një treg më tërheqës e me potencial zhvillimor” - tha zonja Mesi.

Kjo konferencë ekonomike rajonale dhe Forumi i Tiranës janë nisma të Grupit Media Scan dhe disa partnerëve të tij.

Në të u diskutua gjatë nëpër seksione institucionet, tregjet kapitale financiare dhe sipërmarrjet private.

XS
SM
MD
LG