Lidhje

Takimi i parë mes kryeministrave të Greqisë dhe Maqedonisë në Davos

  • Isak Ramadani

Kryeministrat e Greqisë dhe të Maqedonisë u takuan të mërkurën në Davos të Zvicrës, ku ndodhen për takimet vjetore të ekonomisë globale. Takimi i parë midis Alexis Tsipras dhe Zoran Zaevit që zgjati tre orë, vjen si rezultat i uljes së tensioneve midis dy vendeve fqinje lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë. Greqia nuk e njeh Republikën e Maqedonisë me këtë emër për shkak të një rajoni që mban të njejtin emër në veri të Greqisë, ndërsa i ka vlerësuar si synime irredentiste politikat e fqinjit verior për emërtimin e rrugëve dhe institucioneve në bazë të historisë dhe figurave antike.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev është shprehur pas takimit se zgjidhja e problemit shumëvjeçar është në interes të të dy vendeve dhe të vetë rajonit dhe se dy fqinjët janë në rrugë të mirë për të përmirësuar marrëdhëniet midis tyre. Zaev i tha medias se aeroporti i Shkupit do të ndryshojë emrin nga “Aleksandri i Madh” në “Miqësia”, siç do ta riemërtojë edhe pjesën e autostradës nga Shkupi për në aeroport.

Ndërkaq, kryeministri grek Alexis Tsipras ka theksuar nevojën e zgjidhjes me anë të ‘Erga Omnes’, apo një emër për përdorim të përgjithshëm, edhe për përdorim të brendshëm edhe të jashtëm, po ashtu.

Mediat në Athinë e kanë quajtur takimin si “moment i së vërtetës”, ku të dy palët do të diskutojnë mbi vullnetin e vërtetë në mes tyre për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar. Mediat greke shkruanin më herët se kryeministri Tsipras do të paraqiste qëndrimin për një emër të përbërë me përcaktues gjeografik ose kohor. Zëvendës ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Katrugalos ka thënë se emri i përbërë, për përdorim të përgjithshëm do ta pamundësojë cilëndo formë të irredentizmit. Ndërkaq, partia e koalicionit qeveritar, Grekët e Pavarur, ngul këmbë kundër përdorimit të termit “Maqedoni”.

Dhjetra mijëra grekë protestuan të dielën në Selanik kundër emrit Maqedoni që përdor Republika e Maqedonisë, ndërsa një protestë e ngjashme është paralajmëruar për më 4 shkurt.

Megjithatë, këto ditë janë shtuar aktivitetet e ndërmjetësit të OKB-së, Mathew Nimetz dhe ai së shpejti do ta vizitojë Shkupin dhe Athinën për të parë disponimin mbi propozimet e fundit rreth problemit të emrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG