Lidhje

Debatet për mësimin e shqipes në ishullin grek


Kurset e gjuhës shqipe do të zhvillohen të dielën e 11 shkurtit në gjimnazin e Krisopigjisë njoftuan me një deklaratë të përbashkët, Shoqata e Mësuesve të Shkollave Fillore dhe Sindikata e Mësuesve në qytetin Hania, në ishullin grek të Kretës. Sipas burimeve vendore dy sindikatat i ftuan banorët grekë të qytezës bregdetare të Hanias në ceremoninë e pritjes së fëmijëve shqiptarë të dielën. Përmes një deklarate të përbashkët, shoqatat e mësuesve në Hania besojnë se “anulimi i kurseve të gjuhës shqipe ishte një turp”. Deklarata vlerëson se “origjina e këtyre fëmijëve ishte kriteri i vetëm për pretendimet për bllokimin e mësimit të gjuhës amëtare dhe për këtë arsye përbën një akt racist dhe fashist”. “Migrantët e brezit të dytë dhe të tretë nga Shqipëria janë studentët tanë. Ata janë fëmijët tanë. Ne nuk do të lejojmë asnjë kriminel për të festuar përjashtimin e këtyre fëmijëve nga e drejta e tyre për të mësuar gjuhën e tyre amëtare", thuhet në deklaratën e përbashkët të sindikatave në qytezën greke të Hanias.

Sindikatat e mësuesve grekë vlerësojnë se “luftojnë për një shkollë ku të gjithë fëmijët, pavarësisht nga origjina, raca, seksi, klasa, aftësitë e tyre fizike të kenë të njëjtin akses në shkollim. Diskriminimi është një kujtim i keq i së kaluarës dhe nuk do të lejojmë që ai të rikthehet”, thuhet në deklaratë. Më tej sindikatat e arsimit pohojnë se fashizmi, racizmi dhe nacionalizmi kanë çuar në qindra miliona njerëz të vdekur. “Është detyra jonë si punonjës, edukatorë, prindër që të mos lejojmë që fantazmat e së kaluarës të ngrenë kokën në çfarëdo forme që shfaqen. Nuk do t'i lejojmë pakicat e vogla të importojnë helmin e tyre në shkollat tona”, vlerëson deklarata e mësueve grekë.

Dy sindikatat kanë vlerësuar se në bashkëpunim me bashkësinë shqiptare do të punojnë për realizimin e kurseve të gjuhës shqipe. Sindikatat kanë mirëpritur vendimet unanime të Këshillit Komunal të Hanias për rifillimin e menjëhershëm të klasave në gjuhën shqipe.

Debatet për mësimin e shqipes në ishullin grek

Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në qytetin e Hanias në ishullin turistik të Kretës tha dy javë më parë se ishte shtyrë fillimi i kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Burimet greke thanë se të premten e 26 janarit drejtori i gjimnazit ku pritej të niste mësimi i shqipes në Hania dha dorëheqjen. Disa nga mediat greke e vlerësuan ngarjen si “shpërthim nacionalizmi dhe ksenofobie në një shkollë në Hania në kohën që Athina dhe Tirana po bëjnë përpjekjet për të përmirësuar marëdhëniet dypalëshe”. Grupe të rinjsh grekë bllokuan njëj javë më vonë, më 3 shkurt mësimin e gjuhës shqipe edhe në një shkollë në Paliohora qytezë fqinje po në ishullin grek të Kretës, ndërkohë që kursi i parë ishte zhvilluar normalisht për 38 fëmijë shqiptarë.

Burime nga Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në këtë zonë i thanë Zërit të Amerikës se kurset e planifikuara të gjuhës shqipe për t`u zhvilluar në shkollën e mesme në këtë qytet u shtynë nga presioni i njerëzve që ishin mbledhur para rrethimit të shkollës. Portalet greke vendore publikuan foto ku në hyrje të godinës qëndronte një grumbull të rinjsh dhe në portën e shkollës ishin vendosur flamuj grekë. Raportimet e medias lokale greke pohuan se situata ishte tensionuar pasi në rrjetet sociale nisi të qarkullonte një foto e një nxënësi shqiptar me bluzën ku ishte stampuar harta e “Shqipërisë së Madhe” dhe mbishkrimi: ‘Autoktonus’. Foto i përkiste ceremonisë së fillimit të kurseve të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë që banojnë në këtë zonë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG