Lidhje

​Debat i pritshëm për reformën e imigracionit


Senati amerikan votoi njëzëri dje që të fillojë një debat të gjerë për reformën e imigracionit, ndërsa dolën në pah ndasi të thella për synimin përfundimtar dhe përmbajtjen që ligjvënësit shpresojnë të shohin në paketën përfundimtare.

Udhëheqësi i Shumicës republikane në Senat mund të ketë përcaktuar tonin e debatit me sfidën që u bëri demokratëve.

“Ka ardhur koha që fjalët të kthehen në vepra, duke iu futur punës për një zgjidhje funksionale. Kjo do të thotë të arrijmë një marrëveshje që të miratohet nga senati, të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, dhe të nënshkruhet nga Presidenti. Jo thjesht të shprehim një qëndrim”, tha senatori Mitch McConnell.

"Tani nuk është as koha, as vendi për të reformuar të gjithë sistemin e imigracionit. Jo, është momenti për një ligj me rreze të ngushtë veprimi. Dhe ne do të përpiqemi me të gjitha energjitë tona që të gjejmë një variant që të mund të miratohet", tha udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, Chuck Schumer.

Me afrimin e afatit për përcaktimin e fatit të qindra-mijëra imigrantëve të rinj që janë sjellë në Amerikë si fëmijë në mënyrë të paligjshme, pritet të mbahen debate të ashpëra për ditë të tëra.

Vitin e kaluar, Presidenti Donald Trump shfuqizoi DACA-n, masën e ish-Presidentit Barack Obama që mbronte të rinjtë nga deportimi dhe i dha afat Kongresit deri më 5 mars për të hartuar një legjislacion për statusin e tyre ligjor.

Çdo projektligj i miratuar në Senat, duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe të nënshkruhet nga Presidenti, që të kthehet në ligj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG