Lidhje

Retorika kundër imigrantëve në fushatën zgjedhore në Itali


Për vite Ponte Milvio, një urë e lashtë mbi lumin Tiber në Romën veriore, është e lidhur me romancën. Çiftet bashkangjisin “kyçe dashurie” në urë dhe i hedhin çelësat në lumë, si një shprehje simbolike për dashuri të përjetshme.

Javën e kaluar, megjithatë, dashuria nuk ishte në mendjen e fashistëve të maskuar që vendosën një parullë pranë urës, në respekt të ekstremistit të armatosur, që plagosi disa imigrantë, duke i qëlluar nga makina e tij në lëvizje më 3 shkurt, në një rajon rreth 200 kilometra larg kryeqytetit italian.

"Nderim për Luca Trainin", thuhej në parullën për 28-vjeçarin që ishte pjesë e grupit neo-nazist “Skinheads”, i cili plagosi gjashtë imigrantë gjatë një sulmi me armë në fillim të shkurtit, në qytetin e vogël italian të Maceratës.

"Shfaqja e parullës në Ponte Milvio është një akt i mjerë", shkroi në Twitter, kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi. "Dhuna nuk justifikohet kurrë", shtoi ajo.

Por, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 4 marsit, shumë italianë, duke përfshirë politikanë populistë të krahut të djathtë, duket se janë të prirur për t’i fajësuar emigrantët për çdo akt të dhunës kundër tyre, duke i shpjeguar sulmet ndaj emigrantëve si shprehje të zemërimit ndaj "pushtimit imigrant". Sipas sondazheve, kjo çështja më parësore në mendjet e votuesve dy javë para zgjedhjeve.

Në platformat elektorale, Matteo Salvini, kreu i Partisë Lidhja e Italisë, i ka intensifikuar përpjekjet për të fituar mbështetjen e votuesve anti-imigrantë. Traini ka qenë më parë kandidat rajonal i Lidhjes Veriore të Italisë dhe ndërsa Salvini dënoi sulmin e kryer nga Traini, ai fajësoi emigrantët për provokim të sulmit, për "kaosin, zemërimin" dhe "trafikun e drogës, vjedhjet, përdhunimet dhe dhunën" që ata sollën në vend.

Që nga sulmi me armë që Traini kreu, pas përdhunimit dhe vrasjes së një vajze adoleshente në Macerata veprime që thuhet se janë bërë nga imigrantë nigerianë, Salvini ka shtuar thirrjet për riatdhesim masiv të imigrantëve. Gjatë një tubimi fushate në Umbria të premten e kaluar, ai bëri thirrje për mbylljen e qindra xhamive të paliçencuara në Itali, duke e përshkruar Islamin si një fe që "nuk përputhet me vlerat, të drejtat dhe lirinë tonë." Rreth 1.7 milionë myslimanë jetojnë në Itali dhe qeveria ka licencuar vetëm një numër të vogël xhamish. Shumica e myslimanëve falen në xhami të improvizuara në dyqane, biznese ose apartamente.

Salvini ka injoruar thirrjet e Kishës Katolike dhe të ministrave të Partia Demokratike në qeveri, për të kufizuar retorikën e tij të ashpër kundër imigrantëve.

Partia e tij është quajtur Lidhja Veriore e Italisë deri kohët e fundit, kur ai vendosi të heqë dorë nga qëllimi i tij për të kërkuar shkëputjen e veriut, rajoni më i pasur të vendit dhe për të kërkuar mbështetjen e votuesve në jug, të cilët ai dikur i ka quajtur parazitë. Tani fokusi i partisë Lidhja e Italisë është zhvendosur kryesisht në trajtimin e çështjes së 600,000 imigrantëve që kanë ardhur në vend në katër vitet e fundit.

Ish-kryeministri Silvio Berluskoni pritej të kishte një ndikim më të moderuar, krahasuar me Salvini-n dhe populistët e një tjetër partie, “Fratelli d'Italia”, me të cilën është në koalicion zgjedhor; por në vazhdën e sulmit në Macerata, edhe ai bëri thirrje për deportimin e 600.000 imigrantëve, pa përmendur mbylljen e xhamive. Analistët thonë se zoti Berlusconi është i vendosur të sigurohet që partia e tij “Forza Italia” të fitojë më shumë vota se “Lidhja e Italisë”.

Marrëveshja e Berluskonit me partnerët e tij zgjedhorë, është se kreu i partisë që siguron shumicën e votave do të bëhet kryeministër i ardhshëm. Tani, duket se aleanca e krahut të djathtë gëzon mbështetje të madhe, mund të fitojë zgjedhjet dhe mund të jetë në gjendje të formojë një qeveri koalicioni.

"Ata që justifikojnë incidente si ajo në Macerata i hapin derën kthimit të fashizmit", tha ministri i transportit, Graziano Delrio. Organizatat jo-fitimpruirëse që punojnë me imigrantët thonë se po përballen me vështirësi në rritje, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me komunat lokale për të ndihmuar imigrantët.

Dhuna neo-fashiste dhe kundër imigrantëve ka patur një rënie për shumë vite me radhë. Megjithatë, kohët e fundi ka patur njoftime për rritje të sulmeve fizike dhe verbale nëpër rrugë ndaj imigrantëve dhe të huajve. Të dhënat zyrtare mbi krimet e urrejtjes të mbledhura nga Ministria e Brendshme, tregojnë një rritje të shpejtë, nga 71 krime të urrejtjes në vitin 2012, në 803 në vitin 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG