Lidhje

Një dyqan mbi historinë e karameleve


Dita e Shën Valentinit u jep mundësi njerëzve të shpalosin natyrën e tyre romantike, duke dërguar kartolina, lule apo dhurata të tjera, në veçanti diçka e ëmbël si një kuti ëmbëlsirash apo çokollatash. Dyqani True Treats në qytetin Harper’s Ferry në Virxhinian Perëndimore ofron bombone e karamele që ishin popullore në periudha të ndryshme historike. Korrepondentja Deborah Block ishte atje dhe zbuloi se larmia e bën shumë të vështirë zgjedhjen e dhuratës së përsosur për Shën Valentinin.

Blerësit kanë mundësi të zgjedhin nga një shumëllojshmëri ëmbëlsirash në dyqanin True Treats që na njeh edhe me historinë e karameleve. Dyqani u hap tetë vjet më parë me një larmi të gjerë artikujsh, që nga çimçakez nga Greqia e lashtë e deri tek çokollatat e shekullit XX.

Pronarja Susan Benjamin ofron edhe kuriozitete interesante mbi artikujt që shet.

Karamelja e parë e prodhuar për shitje u shfaq në 1806. Shumë kuriozitete janë në etiketat e produkteve:

“Më pëlqen të shoh si ka avancuar gjatë viteve tregu i çokollatave dhe karameleve,” thotë klientja Angela Hoffman.

Pronarja shpjegon se fillimisht karamelet ofroheshin si kura për sëmundje:

“Sheqeri shihej si ilaç. Llokumet filluan të prodhohen nga viti 900 për të shëruar fytin e sëmurë. Pastaj filluan të pëlqehen në gjithë botën”.

Njerëzit përtypnin edhe rrënjë, lëvozhga apo degë pemësh.

“Nga mesi i viteve 1800, fëmijët shkonin e blenin rrënjë të bimës anis se ju pëlqente shija,” thotë zonja Benjamin.

Ndër artikujt disi të pazakontë është një qese me insekte të pjekura që nga disa njerëz konsiderohen si me shije mjaft të pëlqyeshme.

Nga vitet 1920-1950 ata që luanin letra pëlqenin karamelet dhe çokollatat me formë të rrumbullakët.

“Filluan të prodhohen karamele që njerëzit mund t’i kapnin me njërën dorë, ndërsa në dorën tjetër mbanin letrat,” thotë zonja Benjamin.

Klientët shpesh rastisin në artikuj që u kujtojnë të kaluarën:

“Këtë e kam parë për herë të fundit para 18-vjetësh. Do ta blej,” thotë Emmanuel Montenegro.

Ka edhe klientë që janë tepër të rinj por kanë krijuar kujtime në dyqan:

“Kam ardhur këtu kur isha fëmijë, tani që u ktheva më jep mall. Kam shumë kujtime të bukura nga ky dyqan,” thotë klientja Bev Soriano.

Për ata që duan të mësojnë më shumë për historikun e ëmbëlsirave dhe fiksimin tonë pas tyre, pronarja Susan Benjamin ka shkruar një libër të titulluar E Ëmbël si Mëkati.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG