Lidhje

Ministri i jashtëm holandez jep dorëheqjen


Ministri i jashtëm holandez Halbe Zijlstra dha dorëheqjen dje pasi pranoi se kishte gënjyer që kishte takuar presidentin rus Vladimir Putin në vitit 2006.

Në parlament zoti Zijlstra tha se kishte vendosur të largohej pasi siç tha, besueshmëria e ministrit të jashtëm duhet të qëndrojë "përtej dyshimeve".

Ai qëndroi në detyrë për rreth katër muaj.

Nga ana tjetër kryeministri Mark Rutte u përball me pyetjet se pse ai nuk e kishte publikuar gënjeshtrën edhe pse ishte në dijeni të saj prej disa javësh. Ai tha se e kishte nënvlerësuar ndikimin që mund të kishte kjo çështje.

Dje parlamenti zhvilloi gjithashtu një votim mosbesimi ndaj kryeministrit Rutte, por ai ia doli të mbijetojë me lehtësi.

Skandali që përfshiu Halbe Zijlstran rrezikon të minojë politikën e jashtme holandeze në një kohë kur lidhjet diplomatike mes Holandës dhe Rusisë janë përkeqësuar, kryesisht pas rrëzimit të një avioni të kompanisë Malaysia Airlines MH17 mbi Ukrainë, që besohet të ishte një akt i separatistëve pro-rusë.

Shumica e 298 personave në bord që mbetën të vrarë në aksident ishin shtetas holandezë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG