Lidhje

I akuzuari për ngjarjen e Floridës, për herë të parë në sallën e gjyqit


I dyshuari si autor i vrasjes masive në Florida doli për herë të parë në sallën e gjyqit dje. 19 vjeçari Nikolas Cruz përballet me 17 akuza për vrasje me paramendim në lidhje me masakrën në Parkland të Floridës. 15 persona të tjerë u plagosën. Ngjarja e Floridës ka rihapur debatin për dhunën nga armët e zjarrit në Shtetet e Bashkuara dhe se çfarë mund të bëhet për ta ndaluar atë.

Në daljen e parë në sallën e gjyqit, gjykatësja urdhëroi që Nikolas Cruz të mbahej pa të drejtën e lirimit me kusht dhe tani përballet me 17 akuza për vrasje me paramendim.

Cruz u arrestua nga policia pak pas vrasjes masive në Parkland, që i bëri nxënësit të vraponin për të shpëtuar jetën e tyre.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump shprehu ngushëllimet për viktimat dhe u përpoq të qetësonte të mbijetuarit në Florida.

“T’i përgjigjemi urrejtjes me dashuri dhe mizorisë me mirësi. Duhet gjithashtu të punojmë së bashku për të krijuar në vendin tonë një kulturë që përqafon dinjitetin e jetës dhe lidhje të thella dhe kuptimplotë njerëzore”.

Presidenti Trump nuk përmendi nevojën për forcimin e ligjeve për armët, duke u përqendruar tek çështja e shëndetit mendor.

“Jemi të angazhuar të punojmë me udhëheqës të shteteve dhe lokalë për të ndihmuar në masat e sigurisë për shkollat dhe për t’u përballur me çështjen e shëndetit mendor”.

Por demokratët në Kongres po kërkojnë veprim për masa më të rrepta për kontrollin e armëve pas masakrës. Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Edhe një herë shohim nevojën urgjente që Kongresi të marrë masa konkrete për të parandaluar dhunën nga armët”.

Kjo duhet të fillojë me kontrolle më të rrepta për blerësit e armëve, thotë kongresmeni demokrat Mike Thompson.

“Dikush duhet të bëhet i guximshëm që të jetë në gjendje ta shqyrtojë këtë çështje dhe të mendojë se çfarë mund të bëjë Kongresi. Dhe pa dyshim që kontrolli tek e kaluara e atyre që duan të blejnë armë është hapi i parë modest”.

Por republikanët reaguan në mënyrë më të përmbajtur, përfshirë senatorin nga Florida, Marco Rubio.

“Njerëzit janë të indinjuar. Ata duan të dine ‘pse nuk po bëjmë asgjë. Pse nuk po ndodh asgjë?’ Dhe sfida është jo vetëm të bëjmë diçka port ë bëjmë diçka që do të funksiononte”.

Në Florida, zyrtarët vendorë përpiqeshin të qetësonin një komunitet të goditur rëndë.

“Sot është një ditë për të ngushëlluar, ditë zie”, tha sherifi i distriktit Broward, Scott Israel.

Por edhe në mes zisë, drejtori i sistemit të shkollave të distriktit, Robert Runcie tha se ka ardhur koha për t’u përballur me çështjen e dhunës së armëve.

“Tani ka ardhur koha që ky vend të ketë një diskutim serioz për ligje për kontrollin e armëve në këtë vend”.

Por tani për tani, nxënësit dhe prindërit po mblidhen së bashku për të shprehur mirënjohjen për ata që mbijetuan dhe për t’u lutur për ata që nuk do të mund të kthehen kurrë më në shtëpi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG