Lidhje

Meksikë: 13 të vdekur nga një aksident me helikopter


February 17, 2018.

Trembëdhjetë vetë gjetën vdekjen kur një helikopter ushtarak meksikan u rrëzua të premten. Në helikopter ndodheshin zyrtarë të cilët po udhëtonin për të vlerësuar dëmet e shkaktuara pas goditjes së një tërmeti në shtetin e Oaxacës.

Në helikopter ndodheshin ndër të tjerë, edhe ministri i brendshëm i Meksikës, Alfonso Navarrete Prida dhe Guvernatori i shtetit meksikan të Oaxacës Alejandro Murat, të cilët u plagosën së bashku me më shumë se 12 njerëz të tjerë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm deklaroi se të dy pësuan vetëm “tronditje të lehta”.

Në të njëjtën deklaratë, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se 12 persona vdiqën në vendin e aksidentit në Santiago Jamiltepec, dhe një i 13-të vdiq në një spital më pas. Sipas njoftimeve, tre nga të vdekurit janë fëmijë.

Presidenti meksikan Enrique Pena Nieto ka lëshuar një deklaratë nëpërmjet mediave sociale. Ai tha se aksidenti ndodhi ndërsa helikopteri po ulej.

Pena shkroi: “Për fat të keq, njerëzit në terren humbën jetën dhe të tjerë u plagosën. Ngushëllimet e mia familjeve të tyre dhe i uroj një shërim të shpejtë të lënduarve”.

Presidenti tha se asnjë nuk vdiq për shkak të tërmetit apo tronditjeve që goditën Meksikën jugore të premten.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, tërmeti me magnitudë 7.2 e kishte epiqendrën në një zonë rurale të shtetit jugor Oaxaca, pranë bregut të Paqësorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG