Lidhje

Nxënësit kërkojnë ligje më të rrepta për armët


Emma Gonzalez, një e mbijetuar e sulmit me armë në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridës, mbajti fjalim në një tubim për kontrollin e armëve të shtunën, tre ditë pasi një student i armatosur vrau 17 persona, shokë të saj të klasës dhe mësues të saj. Ajo premtoi se “ne do të jemi të vrarët e fundit nga një sulm i tillë”. Ndërkohë, presidenti Donald Trump kritikoi FBI-në që injoroi “sinjalet” para se 19 vjeçari Nikolas Cruz të kryente sulmin.

Gonzalez foli hapur për të pranishmit – qindra njerëz që u mblodhën jashtë një gjykate federale në Fort Lauderdale, rreth 45 kilometra larg nga vendi ku ndodhi sulmi.

“Njerëzit në qeveri të cilët janë votuar në pushtet po na gënjejnë”, tha Gonzalez, “Ne jemi të përgatitur të sfidojmë atë që thonë”.

“Ata thonë se ligjet më të ashpra për armët nuk ulin dhunën me armë”, tha ajo. “Ata thonë se një njeri i mirë i armatosur mund ta ndalojë kriminelin e armatosur. Ne e sfidojmë këtë qëndrim”.

“Nuk duhen më mendime dhe lutje, por ndryshim ligjesh”.

Gonzalez tha se shëndeti mendor – një faktor që Presidenti amerikan Donald Trump dhe autoritetet e tjera e kishin vënë në dukje në përgjigjet e tyre ndaj sulmit – nuk ishte problemi kryesor; ajo fajësoi ligjet e dobëta për armët në Florida, ku adoleshenti Nikolas Kruz, bleu ligjërisht armët e tij.

Ndërkohë, rreth 60 kilometra larg, në ekspozitën e Dade County, qindra entuziastë armësh morën pjesë në një panair armësh.

Menaxheri i panairit, Jorge Fernandez, i tha agjencisë mediatike Reuters se kompania që organizoi aktivitetin, Florida Gun Shows, vendosi të mos e anulonte panairin për shkak të shqetësimeve financiare.

“Këto aktivitete që kemi në Florida Gun Shows janë planifikuar vite më parë, dhe këto vende janë të rezervuara për shfaqjen e armëve vite më parë. Ne kemi përfshirë forca sigurie dhe policinë dhe aspekte të tjera në organizimin e panairit, që e bëjnë të shtrenjtë anulimin.”

Ndër njerëzit që shkuan në panair ishte edhe Jerry Selpuveda, i cili tha:

“Besoj se i riu nuk duhej të kishte blerë atë lloj arme në atë moshë. Mendoj se duhet të ketë një kufi për moshën. Dhe besoj se duhet t’i forcojnë kontrollet e të dhënave personale”.

Por 29 vjeçari Joe Arrington i tha Reuters-it se ai nuk beson se ligjet më të forta nuk do ta kishin ndaluar tragjedinë. “Unë mendoj se shumë agjenci nuk e kanë bërë detyrën e tyre sikur duhej”, tha ai.

Të premten, FBI-ja, – agjencia kryesore e zbatimit të ligjit kombëtar –pranoi se ata injoruan një paralajmërim rreth autorit të krimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG