Lidhje

Karakteret e grave të forta dominojnë emërimet për Oscar


Të emëruarat e këtij viti për çmimet Oscar në kategorinë e aktores më të mirë dhe aktores në rol dytësor më të mirë janë figura komplekse të Hollivudit. Vlerësimi dhe suksesi i tyre në kinematografi flet për fuqinë e grave në interpretimin e roleve kryesore dhe si skenariste. Penelope Poulou e “Zërit të Amerikës” na njeh me disa prej tyre:

Mildred Hayes, e intrepretuar nga fituesja e çmimit Oscar Frances McDormand, është personifikimi i një nëne të drejtpërdrejtë, të ndjeshme, por të fortë, që kërkon drejtësi. E irrituar nga pasiviteti i policisë në rastin e vrasjes së vajzës së saj, ajo thërret shefin e policisë lokale, i cili interpretohet nga Woody Harrelson.

"Gjatë kohës që t'u desh të vije këtu duke u ankuar si një bushtër, ndoshta një tjetër vajzë e shkretë është duke u masakruar, ndoshta pikërisht tani..."

Frances McDormand është kandidate për çmimin Oscar për intrepretimin e personazhit kryesor në film.

"Mildred është protagonistja kryesore. Nuk kam patur shumë raste të luaj rol kryesor. Gjatë karrierës sime kam patur plot role dytësore, krah burrave në role kryesore, por pas këtij roli më pëlqen të kem përsëri rol kryesor. Nuk dua të kthehem më mbrapsht…"- thotë aktorja Frances McDormand.

Regjisori i filmit Martin McDonagh është i rrahur me komedinë e zezë, me nuanca të forta emocionale.

"Këtë rol e krijova pkërisht për Frances. Duhej të ishte një person që nuk do ta shndërronte karakterin, duke interpretuar në mënyrë sentimentale".- thotë regjisori i filmit.

Filmi është propozuar gjithashtu për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë. Sam Rockwell e Woody Harrelson janë emëruar për intrepretimin e roleve dytësore, të dy policëve.

"Po të kisha treguar për të, një princeshë pa zë, çfarë do të kisha thënë?"

Filmi dramatik me fantazi i Guillermo Del Toros, "The Shape of Water", që ka marrë 13 emërime për Oscar, ofron një ansambël të fuqishëm grash.

Sally Hawkins luan rolin e Elisa Esposito, një vajzë memece, që punon si pastruese dhe Octavia Spencer luan rolin e shoqes dhe koleges së saj, Zelda Fuller. Të dyja punojnë në turnin e natës në një laborator qeveritar sekret, kur atje sjellin për eksperiment një qenie amfibe të lashtë, mashkull. Elisa tërhiqet prej tij dhe ata bien gradualisht në dashuri.

"Kur më sheh, nuk më sheh si të paplotësuar. Ai më sheh ashtu siç jam."

Ajo kurdis një plan për ta liruar krijesën nga kthetrat e një roje sigurie, të interpretuar nga Michael Shannon.

"Elisa e dashur, ai po vjen për ty!"

Të dyja aktoret janë emëruar për çmimin Oscar, krahas Richard Jenkins, në kategorinë e aktorit më të mirë për rol dytësor. Ai luan rolin e shokut të Elizës, Giles, një homoseksual të veçuar nga shoqëria.

"Kur e shkruajta dramën, desha që personazhi të realizohej nga tre aktorë: Octavia, Richard dhe Sally janë si një karakter i vetëm."- thotë producenti i filmit.

"Desha të kisha personazhe anësore, sepse të tre ata janë të padukshëm, ata bashkohen dhe i japin gishtin qenies amfibe."

Lady Bird, një film që tregon historinë e bukur dhe të dhimbshme të personazheve, ka marrë disa emërime për Oscar, me gra në role kryesore. Filmi përqëndrohet tek Lady Bird, një maturante që nuk e duron shkollën katolike dhe që ëndërron për aventura, dashuri dhe pavarësi.

Suksesi i filmit qëndron tek skenari i shkruar me ndjenjë, i producentes dhe skenaristes Greta Gerwig, e emëruar për Oscar, dhe grupit të shkëlqyer të aktorëve. Filmi fokuset tek marrëdhënia e dashur por kontradiktore nënë-bijë, e dy aktoreve të emëruara për Oscar, Saoirce Ronan në rolin e Lady Bird dhe Laurie Metcalf në rolin e nënës.

Kjo marrëdhënie dashurie e njëkohësisht antangoniste është e njohur për shumë nëna dhe vajzat e tyre adoleshente.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG