Lidhje

Deklarata e Ramës, ambasada e SHBA: Të zhgënjyer


Në Tiranë ambasada e Shteteve të Bashkuara u shpreh sot se “mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”. Duke folur në parlamentin e Kosovës zoti Rama u shpreh ndër të tjera se "Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Ndoshta ky parafytyrim sot nuk është i këshillueshëm në rrafshin e nacionales por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet, e ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj", tha kryeministri Rama.

Por për ambasadën amerikane “gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”.

Deklarata e kryeministrit shqiptar u shoqërua me reagime të shumta kritike, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri. Në Bruksel zëdhënësja e Komisionit europian Catherine Ray, theksoi dy ditë më parë se “deklarata që mund të interpretohen si një ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. BE-ja pret që i gjithë rajoni të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie konstruktive dhe bashkëpunuese e të përqëndrohet në intensifikimin e punës mbi programet respketive të reformave për të shtyrë përpara procesin e integrimit europian”.

Vetë zoti Rama në një intervistë mbrëmë për “Top Channel” tha se ai nuk kishte bërë asnjë deklaratë, “një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, u shpreh kryeministri duke saktësuar se përpara asaj fjalie “thashë dhe se pas 10 vitesh Shqipëria e Serbia do të jenë në Bashkimin europian, se shqiptarët e serbët do jenë duke jetuar në paqe, e se dialogu Serbi Kosovë do ketë përfunduar me sukses”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG