Lidhje

Masat kundër imigrimit të paligjshëm frikësojnë imigrantët


Zbatimi më i rreptë i ligjit amerikan të imigracionit ka krijuar pasiguri për imigrantët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara për shumë vite, pavarësisht nëse kanë hyrë ilegalisht në vend apo jo. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan njofton nga Los Anxhelos se operacionet e përhapura të kapjes së imigrantëve pa dokumenta madje edhe në vendet e tyre të punës kanë nxitur disa prej tyre që të kërkojnë këshilla ligjore.

Një kurs i përjavshëm ligjor në Kishën katolike Misionare Dolores në Los Anxhelos sjell së bashku avokatët e imigracionit të cilët ofrojnë shërbime pa pagesë për imigrantët që kanë nevojë për ndihmë ligjore.

Shumë prej tyre janë të shqetësuar rreth rritjes së zbatimit të ligjit të imigracionit nga administrata e Presidentit Trump.

"Ata janë duke e informuar veten për t'u mbrojtur nga deportimi, duke pyetur në mënyrë të veçantë se çfarë duhet të bëjnë nëse vendosen në listën për deportim, çfarë duhet të bëjnë nëse ndalohen nga autoritetet?", thotë avokatja e imigracionit, Yanira Lemus.

Kursi, i organizuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit Loyola Marymount, është një nga disa shërbimet ligjore falas ose me kosto të ulët që ofrohen në këtë zonë.

Jorge Ramirez, nga Guatemala, ka jetuar këtu për 20 vjet dhe shpreson të fitojë statusin e imigrantët të përhershëm.

"Ky është një vend i mundësive, dhe nëse punon, mund të fitosh gjithçka që dëshiron".

Njerëzit po ndjekin nga afër zhvillimet në Uashington, ku Kongresi dhe Presidenti Donald Trump po debatojnë për fatin e të ashtuquajturve ëndërrimtarë, të cilët kanë përfituar nga një program i Presidentit Obama për të rinjtë që u sollën në vend ilegalisht kur ishin në moshë të mitur.

Trump po i jep fund programit dhe thotë se dëshiron të garantojë sigurinë e vendit me një mur në kufirin jugor si pjesë e një marrëveshjeje për këtë grup imigrantësh. Kongresi dhe Presidenti Trump deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje.

Të tjerët në këtë komunitet janë të shqetësuar nga mundësia e deportimit të imigrantëve nga El Salvadori, Nikaragua, Haiti dhe Sudani, të cilët morën statusin e përkohshëm të imigrantit të mbrojtur për shkak të konflikteve ose fatkeqësive në këto vende.

"Njerëzit po përjetojnë shumë emocione, përfshirë frikën, ankthin dhe shqetësimin. Por ekziston edhe një ndjenjë guximi", thotë Ellie Hidalgo nga Kisha Misionare Dolores.

Ajo thotë se shumë familje kanë status të ndryshëm, ku fëmijët janë shtetas amerikanë, ndërsa prindërit ose gjyshërit mund të jenë pa dokumenta, edhe pse kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara për disa vite apo disa dekada.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG