Lidhje

Kufiri detar me Greqinë, Meta kërkon sërish sqarime


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta deklaroi mbrëmë se ai ka kërkuar sërish sqarime nga Ministria e Jashtme lidhur me kërkesën e saj për të marrë prej tij autorizimin për grupin negociator shqiptar që do të zhvillojë bisedimet me palën greke për përcaktimin e kurifit detar mes dy vendeve. Kërkesa e Ministrisë u paraqit që prej dy javësh, por 9 ditë më parë, zoti Meta deklaroi se kërkesa kishte mangësi dhe se ajo nuk ishte përpiluar në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese me anë të së cilës ajo rrëzoi marëveshjen e arritur në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme e ish kryeministrit Sali Berisha.

Në një intervistë për emisionin “Studio e Hapur” në “News 24” zoti Meta tha se “nuk ka pasur në asnjë rast kthim apo refuzim për dhënien e një autorizimi të tillë, por gjithmonë ka pasur dhe do të ketë deri në pikën e plotë dhe përfundimtare sipas të gjitha standardeve që përcakton vendimi i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese, një procedurë, e cila duhet të jetë nga ana kushtetuese sa më e saktë”, u shpreh zoti Meta duke nënvizuar se “do të mjaftonte qoftë edhe një gabim formal i mosrespektimit të kërkesave dhe detyrimeve kushtetuese formale që janë disa çështje të rëndësishme në mënyrë që, një grupim të bënte të njëjtën gjë, pra të ankohej në Gjykatën Kushtetuese për ta shpallur një marrëveshje të re antikushtetuese”. Presidenti Meta i mëshoi disa herë këtij momenti duke theksuar se “unë dua që këtë proces ta blindoj. Nga pikëpamja kushtetuese, por edhe nga përmbajtja sepse mendoj se këto janë të dyja të lidhura bashkë.”

Javën e shkuar Ministria e Jashtme i ktheu përgjigje shqetësimeve të Presidentit, por që sipas Kreut të Shtetit, nevojiten ende disa saktësime të tjera. “Ka pasur një reflektim nga ana e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili përsëri në disa elementë është vlerësuar i domosdoshëm për t’u plotësuar më tej edhe ky është një proces që vazhdon”, shpjegoi zoti Meta duke evituar të hyjë në detaje. “Janë kërkuar përsëri disa sqarime të tjera për çështje të cilat pak a shumë dihen, që nga saktësimi i titullit, objektit, probleme të tjera të cilat nuk dëshiroj t’i përmend këtu sepse janë bërë një herë të qarta. Ka nevojë për saktësime. Procesi ecën sipas vlerësimit tim”, u shpreh presidenti.

Dy ditët e fundit po diskutohet gjatë mbi figurën e një prej anëtarëve të grupit negociator, Artur Meçollari, ish zëvendës komandant i Flotës detare shqiptare, mbi të cilin janë hedhur hije të shumta dyshimi, deri madje dhe si “i lidhur me shërbime të huaja”, e i larguar nga ushtria në 2012, për t’u rikthyer pasi gjykata e konsideroi të padrejtë largimin e tij. Zoti Meta deklaroi se rreth tij apo dhe anëtarëve të tjerë të propozuar nga Ministria e Jashtme ende nuk ka marrë informacionet zyrtare nga institucionet e specializuara, por ai vlerësoi një letër që zoti Meçollari “i kishte dërguar ish-Prokurorit të Përgjithshëm, zotit Llalla, ku ai protestonte për mbylljen e çështjes penale ndaj ekipit negociator që kishte negociuar marrëveshjen e viti 2009, duke dhënë shumë argumente dhe shumë fakte sipas tij, një pjesë e të cilave ishin vërtetë shumë interesante e që i ngarkonin normalisht me përgjegjësi negociatorët, me përgjegjësi ligjore, me përgjegjësi penale e që sipas tij Prokuroria në mënyrë jo të drejtë e kishte mbyllur këtë çështje. Në këtë aspekt – u shpreh zoti Meta - unë nuk mund bëj gjykatësin nëse ka të drejtë apo jo, por tregon që ka një ndjeshmëri ka një përgjegjshmëri për integritetin që këta negociatorë duhet apo do të duhet të kenë gjithmonë kur përfaqësojnë interesat e shtetit”. Kreu i Shtetit saktësoi se “kemi dërguar kërkesa në disa institucione për të gjithë negociatorët, pa përjashtime, për ndonjë ndoshta duke kërkuar dhe informacione më të veçanta, por nuk mund të them asgjë pa i pa i marrë dhe pa i verifikuar dhe këto informacione”.

Arritja e një marrëveshjeje të re për kufirin detar është pjesë e një pakete çështjes të mbetura pezull që Tirana dhe Athina janë angazhuar t’i vënë në rrugën e zgjidhjes. Ndërsa autoritetet shqiptare zhbllokuan marrëveshjen, po të ish qeverisë Berisha për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grek të rënë gjatë luftës së Dytë në përpjekjet me fashistët italianë, Greqia nga ana e saj vendosi të tërheqë rezervën për Vulën Apostile ndaj Shqipërisë, pasi prej vitesh të gjitha vendet e BE-së e kanë ndërmarrë këtë akt. Ministria e Jashtmë shqiptare përshëndeti mbrëmë vendimin. “Tërheqja e rezervës për Vulën Apostile ka një impakt pozitiv praktik kryesisht për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi duke lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat e marrjes dhe përdorimit të dokumenteve të lëshuara nga institucionet shqiptare dhe greke, si dhe duke ulur ndjeshëm kostot e lëshimit të këtyre dokumenteve”, thekson deklarata e ministrisë shqiptare duke saktësuar se “vetëm gjatë vitit 2017, kostot e përballuara nga qytetarët shqiptarë për shkak të aplikimit të vulës apostile nga autoritetet greke kanë kapur vlerën e 6.7 milionë euro. Ky vendim i qeverisë greke përbën një angazhim të përmbushur në kuadër të dialogut dypalësh Shqipëri-Greqi për çështjet e mbetura pezull prej një kohë të gjatë”, nënvizon deklarata.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG