Lidhje

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker në Kosovë


Kosovo EU

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha sot se strategjia e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, thekson nevojën e reformave që duhet të zbatohen në rajon dhe në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, pas një takimi me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, në kuadër të vizitës së tij në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë.

Jean-Claude Juncker në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Zoti Junker vuri theksin tek reformat që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, forcimin e drejtësisë dhe të drejtave themelore për qytetarët. Ai tha se një çështje e rëndësishme është edhe arritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Ne duam që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë të vihen në një bazë të re. Është themelore që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje në mes tyre e cila do të jetë juridikisht detyruese për të ecur së bashku drejt Evropës”,tha ai.

Zoti Junker tha se është shumë e rëndësishme që parlamenti i Kosovës të votojë së shpejti marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

"Ratifikimi i marrëveshjes është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm drejt liberalizimit të regjimit të vizave. Mua nuk më kënaq ideja që qytetarët e Kosovës janë në rajon dhe Evropë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë lirshëm, ata janë qytetarë si të tjerët dhe duhet të kenë të njëjtat të drejta. Kushti i shënimit të kufirit duhet të zgjidhet, por gjithashtu të arrihen edhe hapa konkret në luftën kundër korrupsionit”, tha zoti Juncker duke nënvizuar se nuk i takon atij që t’u thotë udhëheqësve të institucioneve të Kosovës se kur dhe si do të bëhet ratifikimi i marrëveshjes.

Ndërsa, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se institucionet e vendit po bëjnë përpjekje që çështja e marrëveshjes të përmbyllet sa më parë.

“Besoj se të gjithë e kemi të qartë, sepse sot parlamenti i Kosovës nuk arriti të ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Nuk do të komentojë këtu asgjë sepse jam i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në ditët e ardhshme dhe në momentin që kjo do të ndodhë, unë jam i bindur se presidenti Juncker dhe të gjithë bartësit tjerë të Bashkimit Evropian do të bëjnë punën e tyre, do t’i marrin vendimet e tyre të duhura dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Partitë politike dështuan sërish të mërkruën që të sigurojnë votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë marrëveshjen, ndërsa Lista Serbe ka bojkotuar deri sot edhe diskutimet rreht saj.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane ndërsa është edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane, kushte këto që sot u përsëriten nga zoti Juncker.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG