Lidhje

Manafort deklaron pafajësinë ndaj akuzave të reja


Ish menaxheri i fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort tha se nuk është fajtor për disa akuza të reja të ngritura ndaj tij javën e kaluar nga Prokurori Special Robert Mueller, i cili është duke zhvilluar hetime për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Gjyqi ndaj zotit Manafort është caktuar për më 17 shtator.

Sipas akuzave të reja, Manafort, me ndihmën e ish partnerit të biznesit dhe ndihmësit të fushatës së zotit Trump, Rick Gates, ishin angazhuar në pastrimin e parave me vlerën e 30 milionë dollarëve, në llogari bankare jashtë vendit dhe se “i kishin përdorur pasuritë e fshehura jashtë vendit për të patur një jetë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksën mbi të ardhurat.”

Ata akuzohen se i kanë fituar paratë nga bizneset e tyre në Ukrainë dhe i kanë paraqitur ato si “hua”, për të shmangur taksat. Në aktpadi thuhet se ata i kanë përdorur paratë për të blerë pasuri të patundshme, për rinovime në shtëpi dhe në rastin e zotit, Gates, se i ka përdorur ato për të paguar për shkollën e fëmijëve.

Javën e kaluar Gates pranoi se ishte fajtor për mashtrime financiare dhe se i kishte gënjyer hetuesit lidhur me përpjekjet e tij lobuese për qeverinë e mëparshme ukrainase pro-Moskës, para se të merrte rolin e zyrtarit të fushatës së zotit Trump.

Fajin se nuk kanë treguar të vërtetën gjatë hetimit nga zoti Mueller, po ashtu e kanë pranuar ish këshilltari i zotit Trump për sigurinë kombëtare Michael Flynn, ish këshilltari për çështjet e jashtme George Papadopoulos dhe ish juristi holandez Alex van der Zwaan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG