Lidhje

Kosovë: Për një muaj 80 kërkesa për statusin e të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës


Kosovë: Për një muaj 80 kërkesa për statusin e të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:30 0:00

Në Kosovë për një muaj janë paraqitur rreth 80 kërkesa për të hyrë në procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës. Autoritetet thonë se procesi po ecën ngadalë por sigurtë, derisa ka hapur edhe mundësinë për zbulimin e rasteve të panjohura deri tani të të prekurve nga kjo formë e krimit të luftës.

Më 5 shkurt autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë. Brenda një muaji rreth 80 persona kanë paraqitur kërkesat e tyre. Kryetarja e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e këtij statusi, Minire Begaj, thotë se në ditët e para kishte shumë ngurrim.

“Ne kemi filluar edhe me seanca, me shqyrtim të aplikacioneve dhe jemi në rrugë të mbarë. Konsiderojmë se ka një vullnet të mirë dhe të shtuar përkundër faktit që kemi ndoshta ndonjë telashe qoftë te dokumentimi apo disa prova, por megjithatë ne brenda mundësive institucionale po mundohemi qe edhe për këto çështje të gjejmë një zgjidhje dhe sa më mirë që mundemi të vijmë deri te njohja e statusit të kësaj kategorie”, thotë ajo.

Sipas zonjës Begaj në javën e parë të marsit priten edhe verifikimet e para në kuadër të procesit që pritet të zgjas 5 vjet.

“Ne konsiderojmë se meqenëse është afat pesë vjeçar gradualisht do të vijë koha që do të vetëdijesohet edhe mbarë opinioni, do të vetëdijësohen të gjithë të tjerët ose familjarët për të kaluar çfarëdo pengese që mund të kenë dhe do të vijë deri te një situatë që do të vijnë palët pa hezitim për të aplikuar dhe për të fituar këtë të drejtë”, thotë zonja Begaj.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, thotë se procesi është i ngadalshëm për shkak të ndjeshmërisë së rasteve.

“Është një proces më vete se si mund të trajtohet ky fenomen dhe kjo e kaluar e dhimbshme e tyre, ka rëndësi edhe sa familja është përkrahëse për ta ndihmuar personin që ta marrë vendimin, pastaj vazhdon procedura tjetër ku ata mund të jenë pjesë e trajtimit për faktin se gjatë procesit të ndarjes së ngjarjes traumatike, realisht personat që 18 vite me radhë nuk e kanë ndarë ngjarjen traumatike kanë shpërthime emocionale të ndryshme qofshin fizike, emocionale, psikologjike prandaj nuk preferohet që në kontaktin e parë të futemi te rrëfimi i ngjarjes”, thotë zonja Rushiti.

Megjithatë, sipas saj, hapja e procesit ka hapur mundësinë për zbulimin e rasteve të panjohura e të fshehura deri tash të të prekurve nga kjo formë e krimit të luftës.

“Mund të them se vetëm në organizatën tonë rreth 30 raste të reja janë paraqitur dhe ka interesime të panumërta, për çdo ditë na shkruajnë jo vetëm nga Kosova por edhe nga Kanadaja, Suedia, Gjermania e nga rajoni për të marrë informacione dhe ne jemi shumë të sigurt që individëve që janë aplikues por edhe familjes që interesohet fillimisht ju duhen informacionet që ti analizojnë në familje e më pas të marrin vendimin për aplikim”, thotë ajo.

Ndonëse qysh në mars të vitit 2014, parlamenti i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore për njohje e statsuit të të mbijetuarve të dhunës seksuale, ky status u njoh nga komisioni qevritar tek në fund të vitit 2017 kur edhe u caktua një pension prej 230 eurosh.

Askush nuk e di numrin e saktë, por besohet se mijëra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Thuhet se numri i tyre mund të jetë rreth 20 mijë, por numri i saktë mbase nuk do të mësohet kurrë dhe rrëfimet rreth tyre deri vonë ishin shumë të pakta për shkak të frikës nga stigmatizimi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG