Lidhje

Një javë kaotike për Presidentin Trump


Presidenti Donald Trump do të kalojë këtë fundjavë në vendpushimin e tij në Florida pas një jave të ngarkuar, për të mos thënë kaotike, duke u përfshirë në shumë çështje si dhuna nga armët, tregtia ndërkombëtare dhe kriza me opioide. Presidenti Trump shpesh sheh nevojën për të qënë në qënder të vëmendjes, por rezultatet janë të paparashikueshme.

Presidenti Trump mori pjesë në funeralin e evangjelistit të njohur Billy Graham në Karolinën e Veriut Kjo shënoi fundin e një jave tjetër të ngarkuar dhe ndonjëherë kaotike për presidentin në një mori çështjesh.

“Duhet të bëjmë diçka për këtë. Duhet bërë diçka. Duhet të veprojmë.”

Presidenti u takua me ligjvënës në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar dhunën nga armët. Ai sfidoi republikanët që të shkëpusnin lidhjet me Shoqatën Kombëtare të Armëve.

“Nuk ka kuptim që një pistoletë nuk mund ta blesh pa mbushur 21 vjeç, por një 18 vjeçar mund të blejë këtë armë në internet. Jam kurioz ta di se çfarë keni hartuar në këtë projektligj.”

“Nuk e trajtuam këtë çështje, zoti President”, ishte reagimi i senatorit republikan Pat Toomey.

“Ju nuk e trajtuat. E di pse? Sepse jeni të frikësuar nga NRA, apo jo?”,ju përgjigj Presidenti Trump.

“Jo, Jo”, ishte reagimi ngaSenatori Pat Toomey.

Përkrahja e dukshme nga zoti Trump për ligje më të rrepta për armët shtoi shpresat mes demokratëve. Chuck Schumer është një prej ligjvënësve demokratë më të njohur në Senat.

“Shpresa është burim i përjetshëm. Vendi ka nevojë për këtë dhe presidenti e di se ai mund të tregojë një udhëheqje të vërtetë duke ju kundërvënë NRA që mbështet republikanët, dhe për të bërë diçka.”

Por interesi i presidentit për t’u hequr armët atyre që konsiderohen të rrezikshëm ndezi shqetësim mes republikanëve.

“E dua presidentin. E Kam mbështetur dhe ende e mbështes. Por ai dhe unë nuk pajtohem në idenë e procesit të duhur”, u shpreh senatori republikan John Kennedy.

Të nesermen, presidenti trazoi tregjet financiare duke njoftuar tarifa për importet e hekurit dhe aluminit, veprim që shkaktoi kritika nga të dy partitë.

“Do të rindërtojmë industrinë e hekurit dhe të aluminit”, tha Presidenti Trump.

Çrregullimi nuk është diçka e re për Shtëpinë e Bardhë të zotit Trump dhe mesa duket një faktor për vlerësimet e tij historikisht të ulta, thotë Tim Malloy.

“Vërtitet mes 30 përqindëshit. Pati një rritje pas fjalimit drejtuar vendit, diçka që pritej. Dhe që aty filloi rënia.”

Por zoti Trump është i mësuar për të qënë një humbës, thotë Michael Barone me Institutin Amerikan Entreprise.

“Vetëm 38 përqind e të anketuarve thanë se e favorizonin atë. Kjo do të thotë se mund të jetë një bllok i konsiderueshëm njerëzish që nuk e pëlqejnë zotin Trump, por votuan për të.”

Trazirat u shtrinë deri në Shtëpinë e Bardhë ku ndihmësja e hershme Hope Hicks njoftoi largimin. Po ashtu ka patur spekulime në rritje rreth së ardhmes së këshilltarit të sigurisë kombëtare H.R. McMaster.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG