Lidhje

Shqipëri, komision hetimor për marijuanën


Në Shqipëri parlamenti miratoi pak para mesnatës, ngritjen e një komisioni hetimor mbi rolin dhe përgjegjësinë e institucioneve në përhapjen e fenomenit të kultivimit të marijuanës si dhe ndaj veprimtarisë së ekzekutivit për rastin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit është ngritur akuzë për dyshime për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike. Ngritja e komisionit hetimor ishte një kërkesë e opozitës, e cila mori dhe miratimin e shumicës së majtë.

Falë pranimit të një pakete amendamentesh të paraqitura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ligji për vlerësimin e punonjësve të policisë mori dhe mbështetjen e kësaj force politike, ndërsa demokratët abstenuan.

Replikat mes përfaqësuesve socialistë dhe atyre të opozitës mbi lidhjet e politikës me drogën mbizotëruan thuajse gjatë gjithë seancës maratonë të parlamentit, ku u diskutua dhe rasti i sekuestrimit javën e shkuar të një sasie rekor kokaine prej 613 kilogramësh në Durrës, e cila vinte nga Kolumbia. Kërkesa për komisionin hetimor shërbeu vetëm si një shkas për të rikthyer edhe një herë në vëmendje akuzat e reja e të vjetra mes palëve. Përmes hetimit parlamentar, opozita synon, sipas dhe vendimit të marrë për ngritjen e tij “të kontrollojë ligjshmërinë e veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën akuzohet ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ndërhyrjeve të këtyre pushteteve në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organi i prokurorisë në hetimin penal të këtij rasti, si dhe efektet që kanë ardhur nga kjo ndërhyrje e paligjshme”. Kërkesa për arrestimin e zotit Tahiri, nëntorin e kaluar, u hodh poshtë nga shumica sipas të cilës “prokuroria nuk paraqiti prova dhe fakte për të mbështetur kërkesën e saj”. Komisioni hetimor do të kryesohet nga opozita.

Por ndërsa nuk munguan akuzat e forta ndaj përfshirjes dhe të policisë në kultivimin apo trafikimin e marijuanës, shumica mundi të bënte për vete, një pjesë të opozitës, Lëvizjen Socialiste për Integrim, për të miratuar ligjin për vlerësimin e punonjësve të policisë, me të një njejtin model që po aplikohet për prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë. Nisma e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, u përkrah nga LSI-ja, pasi shumica pranoi të paktën 19 amendime të paraqitura prej saj. Ndërsa demokratët vendosën të abstenojnë. Ata ishin shprehur dakort në parim, edhe gjatë fazës së diskutimit në komisione, por e kushtëzuan votën përfundimtare me pranimin nga shumica të propozimit të Partisë Demokratike se procesi duhet të nisë nga Ministri i Brendshëm.

Ligji do të zbatohet në tre faza. Në fazën e parë, do t’i nënshtrohen vlerësimit professional dhe verifikimit të pasurive, 300 drejtuesit dhe oficerët më të lartë, për ta kaluar më pas në oficerët e nivelit të mesëm dhe në fund të të gjithë të tjerët. Ligji shihet si një mundësi për të njerrë jashtë radhëve të policisë, elementët e korruptuar apo që kanë lidhje me grupet kriminale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG