Shtëpia e Bardhë thotë se siguria në shkollat amerikane do të jetë e ngjashme me masat e sigurisë të zbatuara në aeroporte, stadiume dhe ndërtesat qeveritare. Sipas planit të Presidentit Donald Trump, arsimtarët dhe pjestarë të tjerë të personelit të shkollave mund të trajnohen për përdorimin e armëve për të mbrojtur nxënësit. Por kufizimi i shitjes së armëve nuk është një tipar i dukshëm në planin e Shtëpisë së Bardhë. Administrata po shqyrton mënyra për parandalimin e vrasjeve në masë nëpër shkolla pasi një individ i armatosur vrau 17 vetë në një shkollë të mesme në Parkland të shtetit Florida, me një armë zjarri gjysmë automotaike, duke shkaktuar revolta mes studentëve mes thirrjeve për kontroll më të rreptë ndaj armëve.
Një muaj pas masakrës në një shkollë të mesme, guvernatori i Floridës Rick Scott nënshkroi një ligj më të rreptë për armët që kërkon një periudhë pritje tre ditore, ndërsa blerësit tani duhet të jenë mbi 21 vjeç. Pa u tharë ende boja e firmës, Shoqata Kombëtare e Armëve, një lob i fuqishëm për armët, ngriti padi federale duke sfiduar vlefshmërinë e ligjit.
Pas tragjedisë në Florida, Presidenti Trump tha se mbështet rritjen e kufirit të moshës për blerësit e armëve.
Por Shtëpia e Bardhë e bëri të qartë të hënën se plani për sigurinë në shkolla nuk përfshin kufizime më të rrepta. Plani propozon hetime më të imta për blerësit, programe të zgjeruara të shëndetit mendor dhe trajnim të personelit arsimor për përdorimin e armëve. Sarah Huckabee është zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
“Do sigurohemi që shkollat të jenë të sigurta, sikurse aeroportet, stadiumet dhe ndërtesat qeveritare, me trajnim dhe përgatitje më të mirë.”
Përgatitja mund të përfshijë trajnimin e personelit shkollor për përdorim të armëve. Kjo po zbatohet në disa shkolla në Teksas. Sekretarja e Arsimit, Betsy DeVos, tha për kanalin televiziv “NBC News” se komunitetet lokale duhet të vendosin për armatosjen e mësuesve.
“Nuk do të jetë praktikë e përshtatshme kudo, por do të jetë e përshtatshme në vende siç ka vendosur Teksasi apo konteja Polk në Florida.”
Ligjvënësit demokratë e kanë kritikuar zotin Trump për dorëzim para presionit të Shoqatës Kombëtare të Armëve. Ndër kritikët e zëshëm është edhe kryetari i pakivës demokrate në Senatin Amerikan, Chuck Schumer.
“Hapi i parë është presidenti. Të gjithë e dimë që NRA e ka mbajtur Partinë Republikane të bllokuar. Po ashtu e dimë që miqtë tanë republikan përpiqen të bëjnë diçka të vogël që nuk bie ndesh me NRA.”
Por nxënësit në të gjithë vendin po organizojnë demostrata dhe po lënë mësimin, duke bërë thirrje për masa që bien ndesh me NRA. Disa politikanë po tregohen të vëmendshëm. Krytari i Bashkisë së Çikagos. Rahm Emanuel, i bëri thirrje guvernatorit të Illinoit që të ndjekë shembullin e Floridës.
“Guvernatori ka shansin për nënshkrimin e ligjit për liçensimin e dyqaneve të armëve sikurse liçensojmë dyqanet që shesin duhan apo pije alkolike.”
Presidenti Trump ka thënë se nëse Kongresi nuk miraton rritjen e moshës minimale për blerësit e armëve, shtetet mund të veprojnë në këtë drejtim.
Facebook Forum