Lidhje

Reagime për zgjedhjen e Vladimir Putinit si president i Rusisë


Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se Presidenti rus Vladimir Putin e fitoi mandatin e dytë 6-vjeçar, duke refuzuar t’i japë një mundësi zhvillimit të një gare të drejtë elektorale. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian, OSBE, tha se mbulimi i gjerë nga mediat shtetërore ruse i aktiviteteve të Putinit i dha atij avantazh ndaj kandidatëve të tjerë. Analistët thonë se ai duket se do ta dominojë Kremlinin edhe pas përfundimit të mandatit presidencial.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se rezultatet e zgjedhjeve të 18-ta presidenciale të Rusisë ishin të parashikueshme, ngaqë votuesit nuk patën mundësi për alternativa reale.

Një përfaqësues i OSBE-së tha se mjedisi politik në Rusi karakterizohet nga presioni i vazhdueshëm ndaj zërave kritikë.

"Ndërsa kandidatët mund të zhvillonin fushatë në përgjithësi lirshëm, mbulimi gjerësisht dhe pa kritika i presidentit në post, rezultoi në mbulim të pabarabartë në shumicën e mediave. Në tërësi, dita e zgjedhjeve u zhvillua në mënyrë të rregullt, megjithë mungesat që pati lidhur me sekretin e votës dhe në transparencën e numërimin e tyre,”- thotë koordinatori i OSBE-së.

Edhe para votimeve, rivalët e zotit Putin thanë se nuk kishin shpresë për fitore. Një numër aktivistësh, të cilët e vunë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve, u ndaluan. Vëzhguesit njoftuan për mbushje kutish në masë dhe presion të paparë ndaj rusëve për të shkuar në votime.

Analistët thonë se Putin donte një pjesëmarrje të madhe në zgjedhje, për t’i dhënë më tepër legjitimitet mandatit të tij të katërt.

"Ishin votime, jo zgjedhje, sepse udhëheqësi e ardhshëm nuk u zgjodh përmes konkurrimit. Askush nuk u përcaktua se do të fitonte, por pati një lloj mbështeteje publike të organizuar gjatë procedurës së votimit dhe mbështetja për Putinin ishte pak a shumë e reale. Kjo i thotë Perëndimit, që në se duan të merren me Rusinë dhe kjo është e paevitueshme, duhet të merreni me mua, Putinin,”- thotë analisti Alexander Baunov.

Vladimir Putin, që e ka sunduar Rusinë për rreth dy dekada, këtë herë arriti rezultatin më të mirë në zgjedhje, duke fituar 77 për qind të votave. Megjithëse ai e hodhi poshtë mundësinë për të qëndruar në pushtet pafundësisht, disa analistë thonë se mundësitë janë që ai ta dominojë Kremlinin edhe për një kohë të gjatë.

"Tani mendoj se Putini do të duhet të fillojë të përgatitet për transferimin e pushtetit jo më nga Presidenti Putin tek presidenti i ardhshëm, por nga Putini-President, tek Putini në një tjetër kapacitet,”- thotë një analist.

Vladimir Putin ka rreth dy dekada që sundon Rusinë, herë si president, e herë si kryeministër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG