Në Shqipëri nisën sot dëgjesat publike me drejtuesit më të lartë të sistemit gjyqësor, në kuadër të procesit të rivlerësimit të tyre. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën për Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo. Ndërsa nga verifikimi paraprak ai ka rezultuar pa probleme lidhur me integritetin moral dhe anën e tij profesionale, mbi të kanë lindur pikëpyetje mbi pasuritë e deklaruara, kryesisht për shkak të disa shumave disa dhjetra mijëra dollarëshe të marra dhuratë nga e motra. Por avokati i gjykatësit u shpreh se gjithshka është bërë konform rregullave
Dëgjesa e parë publike e procesit të rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve nisi me rastin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo. Në qendër të saj ishte pasuria e deklaruar ndër vite nga gjykatësi Lulo, ku paqartësitë sipas verifikimeve janë mbi burime që dyshohen si jo të ligjshme. Bëhet fjalë për një shumë 100 mijë dollarësh dhe një mjedis për zyra që ai ka marrë dhuratë nga e motra. Gjykatësi Lulo nuk ishte vetë i pranishëm në seancë por u përfaqësua nga avokati i tij, sipas të cilit të gjitha veprimet janë kryer përmes akteve noteriale dhe se e motra e gjykatësit është një sipërmarrëse e suksesshme në fushën e ndërtimit. “Aktet e reja që pranoi trupa gjykuese sot janë akte që provojnë të ardhurat e motrës së zotit Lulo që janë tërësisht legjitime”, u shpreh avokati Ardian Visha.
Një tjetër moment me hije është dhe një shumë prej 480 mijë dollarësh kanadezë që zoti Lulo ka marrë po nga e motra për të nisur në fillim të viteve 2000 një aktivitet në Kanada, por që sipas avokatit Visha, nuk është përfunduar dhe shuma është rikthyer: “Eshtë një fakt spekulativ nga pikëpamja e interpretimit. Eshtë një ide biznesi e tij dhe familjes në vitin 200-2002 që nuk është realizuar”.
Sipas Komisionit të pavarur të Kuaifikimit në mesin e viteve 90 zoti Lulo, në atë kohë me profesion avokat nuk ka paguar detyrimet fiskale. Por sipas avokatit ai i ka të vërtetuar shlyerjen e detyrimeve, ndërsa problemi qëndron sipas tij te zyra e Tatimeve që nuk e ka të ruajtur dokumentacionin për atë periudhë.
Vendimi për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese pritet të jepet te premten e ardhshme. Ndërkohë që për ish anëtarin e po kësaj Gjykate Besnik Imeraj, të dorëhequr pak javë më parë, pas ndërprerjes së procesit te Rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i është drejtuar prokurorisë pasi rezulton të ketë gjetur shkelje që mund të përbëjnë vepër penale.
Facebook Forum