Në Shqipëri, Ministria e Jashtme njoftoi sot pasdite dëbimin e dy diplomatëve rus. Në një njoftim të shkurtër bëhet e ditur se kjo masë ju bë e ditur ambasadorit të Federatës ruse Aleksander Karpushin “të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”. Mësohet se dy diplomatët të cilët do të duhet të lenë territorin shqiptar janë Sekretari i Parë i ambasadës ruse Alexey Nikolaevich dhe Atasheu ushtarak Vladislav Filipov.
Vendimi i Tiranës pason masat e ngjashme të marra sot ndaj diplomatëve rusë nga Shtetet e Bashkuara dhe disa prej vendeve kryesore të Bashkimit europian në përgjigje të një sulmi me agjent nervor ndaj një ish-spiuni rus në qytetin anglez të Salisburyt.
Shqipëria që më herët “dënoi ashpër” përmes një deklarate “sulmin me një agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar nga Rusia, kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë së Madhe” më 4 mars, theksonte deklarata që shprehte “solidaritet të plotë me Britaninë e Madhe dhe qytetarët e saj”. Qëndrimi i Tiranës, u pasua me një reagim të menjëhershëm të ambasadës ruse, sipas së cilës “nëse Shqipëria nuk ka prova dhe argumenta” atëherë deklarata e saj dëshmonte “qoftë mungesë kompetence, qoftë një manipulim të qëllimshëm të opinionit publik”, thuhej në reagimin e ambasadës ruse në Tiranë.
Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme bëri të ditur se do të dëbojë një diplomat rus nga Maqedonia. Këtë hap, MPJ në Shkup e ndërmerr pas konsultimeve me aleatët dhe partnerët nga Bashkimi Evropian dhe NATO dhe duke u solidarizuar me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut për shkak të rastit Skripal. Ministria e punëve të jashtme e Maqedonisë përmes një komunikate thekson se këtë e bën në pajtim me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike të vitit 1961.
“Përdorimi i armëve luftarake kimike është në kundërshtim me të Drejtën ndërkombëtare dhe kjo ndikon në sigurinë e të gjitha shteteve”, thuhet në komunikatën e ministrisë maqedonase.
Ndërkaq, nga ambasada e Federatës ruse në Shkup këtë vendim e vlerësojnë si provokim dhe akt armiqësor. Ambasada shkruan më tej se “Përgjegjësia e plotë për pasojat e këtij provokimi dhe akti armiqësor pa precedencë në marrëdhëniet ruso-maqedonase do të bie mbi palën maqedonase”.
Rusia ka bërë përpjekje për shtrirjen e ndikimit të saj në Maqedoni dhe së fundmi një këshilltar i lartë i presidentit Putin ishte në Shkup në promovimin e një partie nacionaliste që u emërtua Maqedonia e bashkuar, në bazë të partisë ruse në pushtet “Rusia e Bashkuar”.
Por, sipas sondazheve, qytetarët e Maqedonisë janë përcaktuar për integrime euroatlantike dhe rreth shtatëdhjetë për qind e tyre e mbështesin synimin e Maqedonisë në rrugën e këtij integrimi.
Facebook Forum