Lidhje

Partitë shqiptare mbështesin Gjukanoviçin për president të Malit të Zi


Partitë shqiptare, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Demokratike, kanë deklaruar se në zgjedhjet presidenciale do të mbështesin kandidatin e PDS-së, Milo Gjukanoviç.

Në deklaratën për shtyp të UDSH-së thuhet se Këshilli Qendror i kësaj partie vendosi të mbështesë Gjukanoviçin për arsye se ai është garanci e stabilitetit dhe e përparimit të Malit të Zi.

“UDSH dhe PDS ndërtojnë partneritetin e vet prej vitit 1997 dhe ky vendim i yni është vazhdim i natyrshëm i bashkëpunimit tonë të deritashëm. Po ashtu, Malin e Zi në periudhën e ardhshme e presin sfida të shumta në rrugën e arritjes së standardeve evropiane dhe perëndimore. Që të arrihet kjo, atij i nevojitet stabilitet dhe ecje përpara, e garancia më e mirë e stabilitetit dhe përparimit të Malit të Zi është pikërisht Gjukanoviçi”, thekson deklarata për shtyp.

Edhe Partia Demokratike mbështetë kandidaturën e Gjukanoviçit si një partner i besueshëm i koalicionit.

“Gjukanoviç është partneri ynë i vjetër i koalicionit. Jemi të bindur se ai personalisht është garanci e integrimeve euroatlantike, i marrëdhënieve shumë të mira me vendet në rajon dhe i demokracisë multietnike në Mal të Zi”, kanë deklaruar nga kjo parti.

Alternativa Shqiptare, parti kjo që vepron kryesisht në zonën e Malësisë, vendosi ta mbështesë kandidatin e koalicionit qeverisës në nivelin shtetërorë, Milo Gjukanoviç. Në deklaratën për shtyp thuhet se “Gjukanoviç është garanci e raporteve të mira në rajon dhe garant i demokracisë multietnike në Mal të Zi.” Në këtë kuadër Gjukanoviç ka kontribuar në përmirësimin dhe forcimin marrëdhënieve të mira midis Malit të Zi me Shqipërinë dhe Kosovën” dhe si arsye tjetër ASH thekson “realizimin e plotë të Komunës së Tuzit në Malësi, e cila ishte një kërkesë shumëvjeçare e shqiptarëve në Mal të Zi.”

Edhe Forca e Re Demokratike mbështetë kandidaturën e M. Gjukanoviç për president të Malit të Zi. Kjo parti u dakordua që në një afat sa më të shkurtër të nxitet e tërë infrastruktura partiake në mënyrë që Gjukanoviç që në raundin e parë të shënoj rezultat të mirë.

Presidenti i Malit të Zi zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, me mandat pesëvjeçar. Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale gjatë sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, që nga viti 1990. President i Malit të Zi nga viti 2003 është Filip Vujaniviç, i cili këtë funksion e ka ushtruar për tre mandate radhazi

XS
SM
MD
LG