Lidhje

Dëm 21 mln euro, kallëzohet ish Drejtori i AKUK


Në Shqipëri, ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, njoftoi sot se ministri Damian Gjiknuri ka depozituar një kallëzim penal në Prokurinë e Tiranës për ish Drejtorin e Përgjithshëm të Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve Ardian Alushi, pasi dyshohet për “Shpërdorim të detyrës” në lidhje me zbatimin e projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”. Nga kontrolli dhe verifikimet e kryera për këtë projekt janë zbuluar sipas ministrisë, shkelje të cilat dyshohet se kanë çuar në një dëm prej afër 21 milion eurosh. Bashkë me ish Drejtorin e Përgjithshëm, janë kallëzuar penalisht dhe dy ish koordinatorë të projektit, Klevis Biçaku dhe Albens Alite.

Nga kontrolli ka rezultuar se të tre zyrtarët “kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të projektit, duke shkaktuar pasoja të rënda për interesat e buxhetit të shtetit dhe të publikut si dhe kanë krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale për subjekte të tjera juridike private”.

Vetëm dëmi i shkaktuar për shkak të rritjes së kostove të punimeve, si pasojë e ndryshimit të formulës për rregullimin e çmimit, llogaritet në afër 17.6 milion euro, ndërkohë që sipas ministrisë shkelje janë vërejtur dhe për shkak të “rritjes të nivelit të paradhënies nga 20% në 25% të vlerës së kontratës, pas nënshkrimit të saj; të zgjatjes së afatit të kontratës për Shërbimin e Konsulencës, të nënshkrimit të një kontrate për shërbim auditimi, në kundërshtim me përcaktimet e ligjit dhe të pagesave për shpenzime ligjore, në kundërshtim me kërkesat e marrëveshjes së huasë, të pajustifikuara dhe të pa dokumentuara”.

Punimet ishin parashikuar të mbylleshin në vitin 2014, por ndërsa ato janë realizuar praktikisht vetëm në masën 51,9 përqind, buxheti i vënë në dispozicion për të gjithë ndërhyrjet, është shpenzuar thuajse i tëri, ose në masën 99,5 përqind, sipas ministrisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG