Presidenti amerikan, Donald Trump bëri thirrje të dielën për ligje më të rrepta për imigracionin, duke premtuar se nuk do të ketë marrëveshje për përfituesit e DACA-s.
"Agjentët e Rojës së Kufirit nuk lejohen të bëjnë siç duhet punën e tyre, për shkak të ligjeve qesharake liberale si Kap & Liro”, shkkruante zoti Trump në Twitter të dielën në mëngjes.
Presidenti tha se "karvanë" imigrantësh të paligjshëm po hyjnë në turma përmes kufirit, një pohim i ngjashëm me një titull për një editorial në kanalin Fox News.
Në një tjetër mesazh në Twitter, zoti Trump fajësoi Meksikën se “ka bërë pak, ose ASPAK” për të ndalur rrjedhën e imigrantëve në Shtetet e Bashkuara dhe paralajmëroi se do të “ndalte” Marrëveshjen për Tregëtinë e Lirë të Amerikës së Veriut.
Ndërsa hynte në kishë pranë rezidencës së tij në Florida, për shërbesën e Pashkëve, zoti Trump vazhdoi me të njëjtin ton si në deklaratat e tij të mëparshme në Twitter.
"Meksika duhet të na ndihmojë në kufi. Nëse nuk na ndihmojnë, është për të ardhur keq. Shumë njerëz po hyjnë sepse duan të përfitojnë nga DACA dhe do të shohim se si do të vazhdojmë. Ata kishin një shans të madh dhe demokratët e humbën atë. Ata kishin një shans shumë të mire, por do të shohim”.
Programi DACA, hyri në fuqi gjatë administratës së ish-Presidentit Barack Obama, duke u dhënë mundësi fëmijëve të sjellë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, që të vazhdojnë të qëndrojnë, studiojnë dhe punojnë ligjërisht në vend.
Administrata e Presidentit Trump i dha fund programit në shtator por i dha afat Kongresit gjashtë muaj që të hartonte një plan të përhershëm për përfituesve prej tij.
Zoti Trump kishte thënë fillimisht se do të binte dakord për masat mbrojtëse për personat e përfshirë në DACA nëse Kongresi miratonte fonte për një mur të propozua për kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën. ((:39))
Megjithë përpjekjet e demokratëve, buxheti i fundit prej 1.3 trilionë dollarësh, nënshkruar nga zoti Trump javën e kaluar, nuk përmendte masa mbrojtëse për të ashtuquajturit Ëndërrimtarë.
Gjykatësit federalë e kanë urdhëruar administratën e Presidentit Trump që të mbajë në fuqi disa pjesë të DACA-s, ndërsa sfidat ligjore kalojnë përmes sistemit të gjykatave.
Facebook Forum