Lidhje

Shqipëri, Kisha Katolike: Dhuna nuk është zgjidhje


Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë u shpreh të mërkurën se po ndjek me kujdes zhvillimet e fundit në vend dhe, në mënyrë të veçantë, ngjarjet që kanë ndodhur në qytetin e Kukësit si pasojë e protestës së qytetarëve për taksën e Rrugës së Kombit.

“Si pjesëmarrës në jetën sociale dhe shpirtërore të vendit”, thuhet në këtë deklaratë “mbështesim çdo nismë civile që kërkon të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve. Është e drejtë e çdokujt që, kur i duket e arsyeshme, të protestojë e të thotë fjalën e tij, vetëm apo i mbledhur së bashku me të tjerë. Por - saktëson deklarata - dënojmë si moralisht të papranueshme çdo sjellje dhune ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe ne bëjmë apel që ajo të shmanget në çdo nismë të ligjshme për kërkimin e të drejtave personale apo komunitare”.

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë i bën ndërkohë apel institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për t'u ardhur në ndihmë personave në nevojë. “Jemi të vetëdijshëm, se rrugët, apo çdo objekt që ka të bëjë me të mirën e përbashkët, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe kjo duhet bërë. Por gjithashtu, sikurse e kemi shprehur edhe në letrën tonë për Krishtlindjet e vitit 2017, duhet kujdes ndaj përsonave, grupeve shoqërore dhe zonave që janë më në nevojë. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që hendeku i krijuar midis të pasurve dhe të varfërve të ngushtohet, sidomos i atyre të zonave të thella e periferike”, nënvizon deklarata.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG