Pas suksesit të mësuesve në West Virginia, të cilët siguruan një rritje të pagave, edhe mësuesit në Oklahoma dhe Kentucky po dalin nga klasat. Ata kërkojnë që ligjvënësit të rrisin shpenzimet për arsimin në shtetet e tyre. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jill Craig, së shpejti atyre mund t’u bashkohen edhe mësuesit e Arizonas.
Grevat kanë filluar edhe në Oklahoma dhe Kentucky, pasi mësuesit në West Virginia braktisën mësimin për nëntë ditë, duke kërkuar rritje me 5% të pagave të tyre në një ndër shtetet më të varfëra të Amerikës.
“Është një pranverë shumë e pazakontë për ne. Disa nga mësuesit e mi po e quajnë ‘Pranvera e Arsimit’,” thotë Lily Eskelsen Garcia, Presidente e Shoqatës Kombëtare të Arsimit.
Ligjvënësit në Oklahoma po diskutojnë rreth një pakete fiskale që synon t’i japë fund grevës së mësuesve në të gjithë shtetin. Mësuesit po kërkojnë rritje të shpenzimeve për arsimin, përfshirë edhe rritje të pagave.
Mësuesit në Kentucky protestojnë kundër uljes së pensioneve të tyre, ndërsa në Arizona ata kërkojnë një rritje të pagës me 20%.
“Mësuesit janë të irrituar që rrogat e tyre nuk rriten dhe që në shumicën e shteteve shpenzimet për arsimin kanë rënë. Pra, mësuesit vetëm dëgjojnë se si ekonomia e ka marrë veten, por nuk shohin rritje të pagave të tyre”, thotë Kim Ruben, nga Urban Institute.
Në Shtetet e Bashkuara, shkollat financohen kryesisht nga autoritetet lokale dhe ato të shtetit përkatës. Në Oklahoma dhe Arizona ka patur edhe një zvogëlim të konsiderueshëm të nivelit të taksimit.
“Të dyja këto shtete ulën ndjeshëm shpenzimet pas rënies ekonomike dhe më vonë ulën edhe taksat. Pra, megjithëse ekonomia në këto shtete është përmirësuar tashmë, ato nuk mbledhin më të ardhura si më parë, duke u gjendur kështu në vështirësi buxhetore”, thotë Michael Hansen, i Institutit Brookings.
Lily Eskelsen Garcia thotë se ligjvënësit vendorë paraqesin argumentin e logjikshëm se u duhet të veprojnë brenda një buxheti të caktuar.
“Por, nëse buxheti është manipuluar duke u dhënë lehtësime të mëdha nga taksat korporatave të naftës në Oklahoma, atëherë këto para nuk futen më në buxhet. Ata ngrenë supet sikur këto para të jenë zhdukur me magji dhe thonë ‘ja, këto kemi’,” thotë zonja Garcia.
Për vitin akademik 2016 – 2017, Qendra Kombëtare e Statistikave për Arsimin vlerësoi se rroga mesatare për mësuesit e arsimit jo të lartë është në rreth 59 mijë dollarë në vit, ndërkohë që në shtetin West Virginia ajo është 46 mijë në vit, në shtetin Oklahoma 45 mijë në vit, në shtetin Kentucky është 52 mijë në vit, dhe në shtetin Arizona është 47 mijë dollarë në vit.
Facebook Forum