Komisioni Europian rekomandoi sot zyrtarisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.
Në raportin e publikuar sot Komisioni vlerësoi se vendi ka bërë përparime, dhe këtë herë rekomandimi i tij është i pakushtëzuar.
Në një pjesë të raportit të ndryshuar sot nga varianti i deridjeshëm, theksohet se “në dritën e progresit të arritur, Komisioni Europian i rekomandoi sot Këshillit të vendosë që negociatat e pranimit të hapen me Shqipërinë, duke ruajtur dhe thelluar ritmin e reformës në fushën kyçe të sundimit të ligjit, në të pesë prioritetet kyçe dhe duke vazhduar me rezultate konkrete dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me vetingun. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit”, - shkruhet në pjesën e rekomandimit për Shqipërinë.
“Vendet Ballkanit perëndimor janë Europë dhe do të jenë pjesë e Bashkimit Europian në të ardhmen. Ne kemi të njëjtat interesa dhe përgjegjësi. Ne i njohim ndryshimet pozitive dhe progresin e bërë nga vendet e Ballkanit perëndimor. Secili vend është vlerësuar për meritat e veta dhe përparimin e reformave. Ne jemi të angazhuar me rajonin. Angazhimet tona janë të qarta dhe pa ekuivoke” - tha sot për shtypin përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe çështje të sigurisë, Federica Mogherini.
Komisioni vlerësoi se vendi ka vijuar të bëjë një përparim të vazhdueshëm në zbatimin e pesë përparësive kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. U konsolidua reforma e administratës publike për më shumë profesionalizëm dhe depolitizim të saj. Veprime të mëtejshme forcuan pavarësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, gjatë zbatimit të reformës në drejtësi.
“Rezultatet e para janë të prekshme me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë, dhe me dëgjesat e para që po sjellin shkarkimin dhe rikonfirmimin e disa gjyqtarëve”- theksohet në raport.
“Sot është një ditë e mirë për vendet e Ballkanit perëndimor. Ato e theksuan perspektivën e tyre europiane dhe kanë bërë hapa përpara” - tha sot për shtypin komisioneri europian për politikat e fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit, Johanes Hahn.
Komisioni Europian vëren se “përpjekje të mëtejshme të vendosura u ndërmorën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj, të cilat sollën hetime proaktive, arrestime e dënimeve.
Raporti njeh përparime në luftën ndaj krimit të organizuar “sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit”, por kërkon që “të shtohet konfiskimi i pasurive të bandave kriminale dhe të vijojë shkatërrimi i gjithë sasive stok të kanabisit”.
Sipas raportit, “ka pasur pak përparim në shkatërrimin e grupeve kriminale të organizuara, ku numri i dënimeve të tyre ka mbetur shumë i ulët, ndaj nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar pastrimin e parave, pasuritë kriminale dhe pasurinë e pajustifikuar”.
Zbatimi i reformës në drejtësi “ka çuar në një përparim të mirë të përgjithshëm” dhe procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve “po jep rezultatet e para të prekshme”.
Sa u takon dënimeve për korrupsion, raporti theksoi se “dënime të zyrtarëve të lartë ndodhën kryesisht në gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë); dhe se numri i dënimeve përfundimtare për zyrtarët e lartë mbetet shumë i ulët. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”.
Një pikë tjetër e raportit është dhe çështja e azilkërkuesve, ku theksohet se ka mbetur i lartë “numri i kërkesave të pabazuara për azil, të shtetasve shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në shtetet Schengen”, ndaj nevojitet shtimi i masave dhe monitorimi pas liberalizimit të vizave, për të zbutur këtë dukuri”.
Facebook Forum