Lidhje

Grupi i Ohrit, në mbështetje të qeverisë së Maqedonisë


Ohrid Group
Ohrid Group

Në Shkup arriti një grup ish-diplomatësh dhe personalitetesh të njohura në jetën politike për të formuar “Grupin e Ohrit” për të këshilluar qeverinë e Maqedonisë dhe për të ndihmuar për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Në grup bëjnë pjesë ish-Sekretari i Përgjithshëm i Natos, George Robertson, ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së Havier Solana, ish-ndërmjetësi në Marrëveshjen e Ohrit, Alain LeRua, Karl Bildt, ambasadorët Robert Gelbard, Wolfgang Ishinger, etj.

Zoti Robertson tha në një konferencë shtypi se Maqedonia ishte shumë pranë humnerës para 17 vjetësh, me ndasi të thella dhe kanosje për shpërbërjen e këtij vendi të Ballkanit perëndimor. “Por kjo nuk ndodhi, sepse qytetarët dhe drejturesit e Maqedonisë u bashkuan me guxim për përparim”, tha ish-shefi i Natos.

Ai shtoi se vendimet e vështira do të merren do të jenë për vetë qytetarët e këtij vendi dhe ato nuk do të jenë fare të lehta, por do të jenë thelbësore për gjeneratat e reja.

Goerge Robertson tha se Grupi do të ndihmojë në ndërtimin e një Maqedonie demokratike, stabile dhe në mirëqenie.

“Ne jemi miq të këtij vendi; Ne u quajtëm “Grupi i Ohrit” për shkak se Ohri paraqet një gjë unike në Maqedoni, një rajon të bukur të trashëgimisë botërore, por gjithashtu vendin e Marrëveshjes së Paqes që në vitin 2001 e bashkoi vendin dhe shmangu luftën civile”, theksoi Lordi Robertson, duke shtuar se si miq të Maqedonisë pjesëtarët e Grupit të Ohrit janë këtu për të ofruar këshilla dhe mbështetje; “Ne jemi një këshill dhe një aset që dëgjon mendimet dhe burim informimi e njohurish bazuar tek përvoja që kemi. Ne nuk merremi me ndërhyrje apo përzierje dhe negociime të çështjeve të brendshme ose rajonale”, tha ai ndërkohë që nënvizoi se nuk ka një axhendë tjetër përpos asaj që të jenë miq të Maqedonisë.

Zoti Robertson tha se këshillat do t’i ofrohen koalicionit qeveritar dhe kryeministrit Zaev e ministrave të tij. “Po ashtu do të jemi në dispozicion të opozitës dhe presidentit të Republikës dhe të gjithëve në Maqedoni për t’iu ndihmuar”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri maqedonas Zoran Zaev u shpreh se është veçanërisht e rëndësishme dhe inkurajuese të kesh miq siç janë personalitetet e “Grupit të Ohrit”.

Ai tha se Republika e Maqedonisë dhe NATO janë miq të afërt prej 22 vjetësh. “Partneriteti e kaloi testin e kohës dhe dëshmoi aftësinë e vendit tonë për t’iu përshtatur standardeve të aleancës dhe t’i zbatojë në mënyrë të përshtatshme kriteret e NATO-s”. Kryeministri Zaev tha se Maqedonia e tregoi përkushtimin për partneritetin ndaj NATO-s dhe ndarjen e vlerave të njejta në misionet e përbashkëta; në mbështetjen reciproke në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe në plotësimin e standardeve të Armatës së Maqedonisë.

Autoritetet në Maqedoni shpresojnë se brenda pak muajsh do të gjindet një zgjidhje për t’i dhënë fund problemit me emrin e Maqedonisë, që paraqet kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe për përparimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG