Lidhje

Rama: Tani më optimist se para nisjes për në Berlin


Kryeministri Edi Rama tha sot se ishte më optimist për pozicionin e Gjermanisë ndaj hapjes së bisedimeve për anëtarësim mes Bashkimit europian dhe Shqipërisë, seç ishte para se të niste vizitën e tij atje. Këto komente ai bëri pas kthimit nga Berlini, ku dje pati një bisedë me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe takoi përfaqësuesë të rëndësishëm të parlamentit gjerman. Në qendër të bisedimeve ka qenë pikërisht rekomandimi pozitiv i javës së shkuar nga ana e Komisionit europian. “Besoj se kjo vizitë mund të konsiderohet e suksesshme për përmbushjen e objektivave që kishim. Jam i bindur se në fund të vizitës, ka një kuptim më të plotë dhe më të detajuar nga ana e gjithë aktorëve lidhur me pozicionin në të cilin gjendet sot Shqipëria dhe me legjitimitetin e plotë të kërkesës sonë që rekomandimi i Komisionit europian të mbështet nga qeveria dhe parlamenti gjerman”, deklaroi zoti Rama.

Përpara takimit me kryeministriin shqiptar, Kancelarja Merkel, u shpreh dje se Gjermania do të marrë vendimin e saj në javët e ardhshme pasi të shohë “nëse ka ende gjëra për të bërë, nëse ka progres të mjaftueshëm dhe gjithashtu ta diskutojmë këtë me homologët tanë evropianë”. Zoti Rama saktësoi se ai nuk kishte pritur që Kancelarja të jepte një “Po” publike. “E kishim të qartë se vizita i shërben shpjegimit të të gjitha aspekteve dhe dhënies së informacioneve të nevojshme në funksion të përgatitjes së opinionit për të cilin Kancelarja tha se do të marrë kohën e vet”, shpjegoi zoti Rama.

Vendimi i Gjermanisë do të duhet të kalojë edhe përmes parlamentit të këtij vendi. “Atmosfera në Berlin është pozitive. Vendimmarrja për Shqipërinë, përjashto ndonjë individ, do të jetë e lidhur ngushtë dhe me dinamikën e brendshme nw parlamentin gjerman, që në këndvështrimin tim është një dinamikë që nuk më duket se do të jetë pengesë”, tha kryeministri shqiptar.

Përmes një statusi në Facebook, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështjet europiane, Gunther Krichbaum, u shpreh se “dje kam takuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Bundestag. Personalisht i kam thënë atij se unë mendoj se hapja e negociatave të pranimit në BE është e parakohshme në këtë fazë. Reformat e nisura ende nuk janë të mjaftueshme”. Por zoti Rama mohoi që deputeti gjerman t’i ketë thënë një gjë të tillë. “Ai nuk ma ka thënë këtë gjë. Nuk është surprizë. Ai kështu e mendon. Është një nga disa qindra deputetë të Bundestagut”, u shpreh kryeministri.

Zoti Rama pranoi se në Komisionin e Çështjeve europiane është ngritur dhe rasti i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin shumica nuk i dha prokurorisë autorizimin për arrestim. “Është bërë një pyetje në Komisionin e Çështjeve evropiane dhe pozicionin tonë në këtë proces. Pyetje që sigurisht, ka pasur të bëjë në thelbin e shqetësimit të vet dhe me baltën e eksportuar atje dhe me tregimin e deformuar të kësaj historie. Por ne kemi qenë në Gjermani dhe jo në Venezuelë, ku të na kërkohet që të kapim dikë dhe ta çojmë para drejtësisë, sespe kjo është një çështje e Drejtësisë dhe këtë në Gjermani e dinë që kur marrin qumështin e nënës”, përfundoi kryeministri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG