Lidhje

Film Fest DC sjell filma ndërkombëtarë në kryeqytetin amerikan


Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Uashington, i njohur si Filmfest DC festoi këtë muaj 32 vjetorin. Festivali i sivjetshëm, i cili përfundon sot, ka dhjetë ditë që shfaq 80 filma nga 45 vende të ndryshme për një publik ndërkombëtar dhe të informuar politikisht. Por festivali ofron më shumë sesa argëtim. Ndër vite, festivali është bërë një forcë kulturore dhe ekonomike për një qytet të njohur në të gjithë botën si epiqendër e politikës globale. Korrespondentja Penelope Poulou e Zërit të Amerikës përgatiti kronikën.

Nga opereta bashkëkohore flamenco e Jose Louis Tirados “No, A Flamenco Tale”, tek bota ashpërsisht konkurruese e baletit në filmin “Bolshoi” të Valeriy Todorovskiy, tek dokumentari “The Cleaners”, për pastruesit dixhitalë që merren me fshirjen e “përmbajtjeve të papërshtatshme nga interneti”...festivali ofron filmat më të fundit nga e gjithë bota për atë që themeluesi dhe organizatori Tony Gittens e quan një publik eklektik.

“Uashingtoni është një vend ku njerëzit janë seriozë, por gjithashtu kanë qejf të dalin dhe duan të jenë të informuar, dhe duan të njihen me kultura të ndryshme nga ato të tyret. Dhe festivali i filmit ua ofron këtë” thotë organizatori.

Festivali është gjithashtu një ndihmë për ekonominë lokale.

“Njerëzit vijnë në kinema, shkojnë në restorante. Ata parkojnë makinat, paguajnë tarifën e parkimit, ose koston e ushqimit në restorante”.

Një nga sponsorët për Film Fest DC është restoranti historik Darlington House. Gjatë dekadave, restoranti ka mirëpritur një numër vizitorësh të famshëm si Andy Warhol, Keith Richards, Tony Bennett dhe Bob Marley. Restoranti ka sponsorizuar edhe festivale të tjera në Uashington.

“Unë kam jetuar në Uashington për 30 vjet. E kemi mbështetur Film Fest DC për gati njëzet vjet. Ne kemi ambasadën zvicerane, ambasadën italiane, verërat italiane që janë sponsorë dhe kjo ndihmon me organizimin e komunitetit” thotë pronarja e Darlington House.

Deri më tani, festivali i vitit 2018 ka shitur mbi 16,000 bileta – duke thyer rekordin e viteve të mëparshme. Festivali tërheq të apasionuarit e filmit, të rinj dhe të moshuar – dhe në mesin e tyre, janë emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Uashington, thotë Herbert Niles, nëndrejtor i Zyrës së qytetit për Televizion, Film, Muzikë dhe Argëtim.

“Ngaqë jemi një agjenci kulturore e bashkisë, ne e promovojmë festivalin nëpërmjet faqes sonë të internetit, e promovojmë përmes Facebook-ut dhe Twitterit. Pra, ne përpiqemi të krijojmë një komunitet dhe të përhapim informacionin për filmat e ndryshëm që shfaqen gjatë festivalit”.

Përfshihen filma si dokumentari i Robert Clem, “How They Got Over”, i cili tregon se si kuartetet e muzikës kishtare afrikano-amerikane ndikuan muzikantët e hershëm të rock and rollit. Niles thotë se festivali shërben gjithashtu për të promovuar kineastë të rinj që duan të marrin emër në industrinë amerikane të filmit.

“Duke u prezantuar në këtë festival kanë shanse të marrin kontrata për shfaqjen e filmave në kanale kabllore apo edhe në kinema ku shfaqen filma artistikë”.

XS
SM
MD
LG