Lidhje

50 imigrantë përpiqen të kërkojnë azil në Amerikë


Një grup me rreth 50 imigrantë nga Amerika Qendrore kanë mbetur në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën, pasi inspektorët amerikanë të kufirit thanë se në kufi nuk kishte vend të mjaftueshëm për sistemimin e tyre.

Të dielën, imigrantët nga Amerika Qendrore u përpoqën të paraqiteshin tek zyrtarët amerikanë të kufirit, pasi kaluan një muaj duke udhëtuar në një karvan përmes Meksikës për të kërkuar strehim në Shtetet e Bashkuara.

Një grup me qindra imigrantë nga Amerika Qendrore, që para një muaji u nisën drejt Shteteve të Bashkuara nga një qytet në jug të Meksikës, kanë mbërritur në kufirin SHBA-Meksikë, ku janë pritur nga një armatë avokatësh amerikanë, që duan t’i ndihmojnë që të paraqesin kërkesat për azil te autoritetet amerikane.

Nuk është e qartë se sa kohë do të kenë nevojë të presin për t'u parë nga zyrtarët e kufirit, pasi Dogana dhe Patrulla amerikane e Kufirit njoftoi se porti San Ysidro i hyrjes kishte arritur në pikën e kapacitetit të plotë.

Shumë nga imigrantët janë gra dhe fëmijë; ata janë pjesë e një grupi prej disa qindra njerëzish nga Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori, të cilët kanë arritur në Tijuana të Meksikës.

Nicole Ramos, një avokate që punon me imigrantët, tha se ata kanë në plan t'u thonë zyrtarëve të kufirit se kanë frikë të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

"Është një çështje tepër emocionale, sepse imigrantët kanë udhëtuar për një muaj për të arritur në kufi, janë të përgatitur të kërkojnë azil, kanë njohuri për të drejtat e tyre dhe kanë të drejtë të kërkojnë strehim në Shtetet e Bashkuara. Është një moment i prekshëm për të gjithë", thotë Nicole Ramos, avokate për çështjet e imigracionit.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe anëtarët e administratës së tij e kanë ndjekur karvanin që nga nisja e tij më 25 mars nga qyteti meksikan i Tapaçulës, pranë kufirit të Guatemalës, duke e quajtur atë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump dërgoi qindra trupa të Gardës Kombëtare në kufi pasi shprehu zemërim ndaj imigrantëve. Ai i bëri presion Meksikës që të ndalonte karvanin, duke kërcënuar madje edhe me tërhqjen nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes vendeve të Amerikës së Veriut.

Meksika nuk e përfilli presionin e Presidentit Trump. Në vend të ndalimit, autoritetet meksikane u dhanë imigrantëve leje tranziti një mujore për të vendosur nëse dëshironin të kërkonin strehim në Meksikë, të ktheheshin në vendet e tyre, apo të shkonin drejt Shteteve të Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG