Overdozat nga opioidet po krijojnë efekte shkatërruese në Nju Hampshër. Shteti i vogël që ndodhet në veri-lindje të SHBA-së ka shkallën më të lartë të vdekjeve për frymë nga fetanoli, një opioid sintetik i cili është më i fuqishëm se heroina dhe në shumicën e rasteve edhe më vdekjeprurës.
Jon Delena ka kaluar gjysmën e jetës së tij duke luftuar kundër trafikut të drogës në Shtetet e Bashkuara, fillimisht si oficer policie, tashmë me Agjencinë e Zbatimit të ligjit për Drogat, DEA. Ai ka qenë dëshmitar i asaj se çfarë kokaina dhe heroina u bën njerëzve. Por sipas tij asgjë nuk mund të krahasohet me efektet e frikshme të fentanilit.
Sipas mjekëve kjo drogë sintetike, që njihet dhe me pseudonimet "Kina e bardhë", "Ethet e valles" dhe "Vrasja 8", është 50 deri në 100 herë më e fuqishme se sa morfina. Një tjetër drogë që po gjen përdorim së fundmi, carfentanyl, është 10 mijë herë më e fortë se morfina. Sipas një analize të qeverisë, çdo vit vdekjet nga mbidoza janë rritur për të gjitha kategoritë e drogave, për përdoruesit e moshës 15 vjeç e lart.
"Duhet të përqendrohemi kryesisht tek përpjekjet për parandalim. Paratë e taksapaguesve shkojnë që unë të arrestoj njerëz. Por mendoj se gjëja më e rëndësishme janë përpjekjet për parandalim si dhe t’u flasim fëmijëve të vegjël në mënyrë që ata të kuptojnë rrezikun e kësaj krize dhe që të mos të ndodhë më”, thotë Jon Delena ndihmës agjent special i DEA-s.
Në vitin 2016, qeveria raportoi më shumë se 60 mijë viktima të drogës, në dy të tretat e rasteve përfshihej përdorimi i opioideve.
Fentanili është është i rrezikshëm jo vetëm për ata që e përdorin. Punonjësit e emergjencës dhe oficerët e zbatimit të ligjit vuajnë pasojat helmuese të tij. Asnjë oficer nuk lejohet të hyjë në magazinat e prodhimit të pilulave të fentanilit, në klinikat apo farmacitë ku përgatiten narkotikë të fuqishëm në mënyrë të papërshtatshme, pa pajisje sigurie.
"Të gjithë agjentët tanë duhet të vendosin maska, doreza, mbrojtëse për sytë dhe veshje të posaçme kur hyjnë në ndonjë shtëpi, me qëllim mënjanimin e rrëzikut të ekspozimit ndaj këtyre substancave të dëmshme”.
Epidemia e fentanilit ka arritur përmasa katastrofike, duke detyruar zjarrfikësit, punonjësit e ndihmës së parë mjeksore si dhe zyrtarët e DEA-s që të marrin me vete kur janë në detyrë një antidot të quajtur Narkan, me qëllimin për të sjellë në vete viktimat.
"Narkan-i, është një medikament që ne ua japim punonjësve të ndihmës së parë mjeksore zjarrfikësve, policëve. Medikamenti anulon efektin e mbidozës së opioidit, qofshin ato medikamente për dhimbje, heroinë ose fentanil. E shkatërron efektin e tyre", thotë Tracy Powers, punonjëse e “American Medical Response”
Autoritetet vendore kanë organizuar një sërë fushatash për mbledhje fondesh për të ndihmuar ata që vuajnë nga drogat. Por kjo nuk mjafton.
"Shpresojmë që të shohim më shumë para në Nju Hampshër. Është një nga shtetet më të goditura në SHBA", thotë Joyce Craig kryetare e bashkisë së Mançesterit, Nju Hampshër.
Por nuk janë vetëm autoritetet lokale ata që besojnë se varësia nga opioidet përbën problem. Një sondazh i zhvilluar në vitin 2017 nga Universiteti i Nju Hampshër-it zbuloi se 53 për qind e banorëve e shohin abuzimin me drogën si problemin më të madh me të cilin ballafaqohet shteti.
"Nuk mendoj se shtypi po ekzagjeron. Unë punoj në një spital, i shoh rrëkejtë e njerëzve ...", thotë një banore e zonës.
"Mendoj se për këtë duhet fajësuar ambjenti përreth. Disa mendojnë se të marrësh drogë është argëtuese. Gjithashtu të gjesh drogë është e lehtë, veçanërisht në lagje të caktuara të qytetit. Por policia po bën gjithçka që munden, ne e dimë këtë", thotë një banor i zonës.
"E di që ka shumë arsye për këtë. Por unë i kthehem gjithnjë një shprehjeje që kam dëgjuar “punë shumë e fjalë pak”. Pra duhet të veprojmë dhe këtë gjë po e shohim këtu në Nju Hampshër", thotë Jon Delena ndihmës agjent special i DEA-s.
Facebook Forum