Lidhje

Një memorial kushtuar paqes dhe drejtësisë


Lynching Memorial
Lynching Memorial

Mbi një kodër të gjelbëruar, me pamje nga qyteti Montgomeri i Alabamës, ndodhet një memorial i ri, i pari i këtij lloji në Amerikë, që njeh viktimat e terrorizmit dhe vrasjeve racore në Shtetet e Bashkuara. Të ngritura nën kujdesin e Nismës për Drejtësi të Barabartë, një organizatë jo-fitimprurëse që punon me komunitetet e izoluara dhe të varfëra, ky grup shpreson që Memoriali dhe Muzeu i Trashëgimisë do të ndihmojnë në ndryshimin e historisë së Shteteve të Bashkuara për ndarjet racore. Kane Farabaugh e Zërit të Amerikës ishte e pranishme në hapjen e aktiviteteve me këtë temë në Montgomery:

Ajo ka ardhur në Alabama nga Kalifornia e largët, për të qenë e pranishme në këtë moment; duke pritur në radhë që herët, për të marrë një biletë, për ditën e hapjes së Muzeumit të Trashëgimisë.

Ishte habi për Isoke Femin, që pjesa më e vështirë e ditës ishte të tregonte me fjalë ato që kishte parë.

“Ishte një eksperiencë e dhimbshme…" - tregon ajo.

Ndërtuar në vendin ku dikur ndodhej një kapanon skllevërish në Montgomery, dikur qendra e tregtisë së skllevërve në Shtetet e Bashkuara, Muzeu i Trashëgimisë: nga Skllavërimi tek Burgosjet Masive, është i mbushur me ekspozita që shërbejnë si një katalizator për të kuptuar ato që ka përjetuar historikisht popullsia me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara.

“5000 zezakë janë vrarë nga vitet 1880 deri në 1940.”- thotë udhëheqësi i të drejtave civile, Jesse Jackson.

Udhëheqësi i të drejtave civile, i Përndershmi Jesse Jackson, e ka mbështetur që në fillim ngritjen e Muzeumit dhe të Memorialit Kombëtar për Paqe dhe Drejtësi, një monument masiv i shtrirë tek një park, që nderon viktimat dhe hedh dritë tek realiteti i trashëgimisë së skllevërve.

“Ne duhet të përballemi me të vërtetën e origjinës sonë. Jemi një shoqëri që kemi kaluar gjenocid, skllavëri, epokën e Jim Crow-it.”- thotë Jackson.

"…Por jo një shoqëri që ka kaluar ndarjet racore", - thotë Mark Potok, ish punonjës i Qendrës Ligjore të Varfërisë së Jugut.

“Janë të bardhët e këtij vendi dhe sidomos në jug, që nuk kanë dëshirë të përballen drejtpëdrejt me të shkuarën,- thotë Potok.

Mark Potok thotë se racizmi dhe fanatizmi, sidomos në shtetin ku sot ndodhet muzeumi dhe memoriali, nuk janë pranuar ende në librat e historisë:

“Ja vlen të kujtosh se 15 vjet më parë, pra shumë pak vite më parë, shumica e popullsisë së bardhë të Alabamës, votuan për të ruajtur ndarjet racore në shkolla bazuar në kushtetuën e shtetit të tyre."

Jessi Jackson mendon se pengesa më e madhe për përparimin, sot është mospjesëmarrja në votime.

“Në jug ka 4 milionë zezakë që nuk janë regjistruar të votojnë", - thotë ai.

I të njëjtit mendim është edhe Mark Potok:

“Kjo është mënyra për të ecur përpara. Nuk është ajo e rrahjes së supremacistëve të bardhë nëpër rrugët e Sharlotsvillit. Mënyra më e mirë është ndryshimi i njerëzve që na përfaqësojnë".

Isoke Femi, që sapo ka parë ekspozicionet që zbulojnë të vërteta të fuqishme e të trishtueshme, sheh shpresën tek njerëzit rreth saj.

“Dashuria që është dashur për ta bërë këtë muze, përkushtimi, kurajua dhe fakti që këtu vijnë të gjithë, jo vetëm zezakët. Edhe pse nuk mund të gjejnë fjalët e duhura… ata duan shërimin shpirtëror të Amerikës. Duan që zemrat e tyre të jenë të lira",- thotë vizitorja Isoke Femi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG