Lidhje

Lufta kundër krimit në kufirin SHBA-Meksikë


Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë rënë dakord të bashkëpunojnë në luftën kundër bandave kriminale që trafikojnë drogë, armë dhe qënie njerëzore përgjatë kufirit të përbashkët. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo diskutoi çështjet dypalëshe dhe rajonale me homologun e tij meksikan Luis Videgaray të hënën në Uashington. Më parë, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions theksoi se "kufiri i Shteteve të Bashkuara nuk është i hapur" ndaj askujt që vjen në mënyrë të paligjshme.

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë qindra trupa të Gardës Kombëtare në kufirin me Meksikën për të luftuar trafikun e drogës dhe imigrimin e paligjshëm. Kjo masë mori shkas nga ardhja e një karavani imigrantësh në anën meksikane të kufirit. Duke folur të hënën në Kaliforni, kryeprokurori Sessions paralajmëroi imigrantët kundër përpjekjeve për të hyrë në vend pa një proces të rregullt.

"Jemi këtu për t’i dërguar një mesazh botës se nuk do të lejojmë vendin tonë të mbingarkohet. Njërëzit nuk kanë për të ardhur në karvane dhe të dynden në kufirin tonë. Ne kemi nevojë për ligjshmëri dhe integritet të sistemit tonë të imigracionit”.

Administrata Trump është kritikuar për atë që shumë e shohin si pandjeshmëri ndaj gjendjes së mjerueshme të imigrantëve që kanë vendosur tenda pranë kufirit. Zoti Sessions tha se ka dërguar personel ligjor shtesë për të ndihmuar në shpejtimin e procesit të aplikimit për ata që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

"Kam dërguar 35 prokurorë në kufirin jug-perëndim dhe kam çuar 18 avokatë imigracioni në kufi."

Imigracioni përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara ishte një nga temat e diskutuara të hënën nga diplomatë të lartë amerikanë dhe meksikanë. Sekretari Pompeo tha se të dy vendet do të bashkëpunojnë në luftën kundër trafikut të drogës, armëve dhe qënieve njerëzore përgjatë kufirit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika do të punojnë së bashku për të përmirësuar kushtet e jetesës në vendet e Amerikës Qendrore nga të cilat po largohen njerëzit.

"Po punojmë me partnerët tanë në Honduras, Guatemalë dhe El Salvador për të pakësuar pasigurinë dhe dhunën, për të shtuar mundësitë ekonomike dhe për të luftuar korrupsionin", tha zoti Pompeo.

Ministri i Jashtëm i Meksikës tha përmes një përkthyesi se vendi i tij nuk është më një origjinë e drejtpërdrejtë imigracioni për në Shtetet e Bashkuara, por edhe një vend që pret imigrantë.

" Duhet të vazhdojmë të mendojmë për përparësinë e dinjitetit themelor të migrantëve, pavarësisht nga gjendja e tyre".

Ministri i Jashtëm meksikan tha se zyrtarët amerikanë dhe meksikanë do të takohen së shpejti me përfaqësuesit e Guatemalës, El Salvadorit, Hondurasit dhe vendeve të tjera në Uashington për të diskutuar mbi imigracionin dhe sigurinë kufitare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG